Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se pas gërmimeve që kanë filluar në Tusuz të Prizrenit, kanë gjetur mbetje mortore potencialisht të viktimave të luftës së fundit.
Në njofitm thuhet se mbetjet mortore të zhvarrosura do të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminimet e nevojshme dhe identifikimin përmes analizës shkencore të ADN-së.
“Në kuadër të zbatimit të Planit të Punës nën koordinimin e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, njësitet e Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, ekspertët mjekoligjorë të Institutit të Mjekësisë Ligjore me mbështetjen edhe të ekspertëve të EULEX-it, janë duke kryer gërmimet vlerësuese në tri lokacione në hapësirat e ‘Varrezave të qytetit të Prizrenit’”, thuhet në njoftim.
“Gërmimet e filluar në mëngjes tanimë kanë rezultuar me gjetje dhe zhvarrosjen e mbetjeve mortore që mund t’iu përkasin viktimave të luftës që vazhdojnë të jenë në Listën e Personave të Zhdukur”.
“Pasi të përfundojnë të gjitha procedurat do përcaktohet numri i individëve të zhvarrosur dhe identiteti i tyre”.
Tutje, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka thënë se gërmimet në Tusuz të Prizrenit, janë duke u kryer në zbatim të urdhëresës së Gjykatës Themelore të Prishtinës, Departamentit Special.
Lokacioni në Tusuz të Prizrenit është lokacioni i trembëdhjetë i adresuar në kuptim të gërmimit vlerësues gjatë këtij viti brenda territorit të Republikës së Kosovës.