Raporti i Progresit: S’është e qartë si do të kompensohen viktimat e krimeve të luftës

by Nexhat

Komisioni Evropian ka publikuar të mërkurën Raportin për Kosovën për vitin 2023 (periudha qershor 2022 – qershor 2023). Në bazë të këtij raporti, deri më tani Kosova nuk ka ofruar ndonjë mbështetje financiare për viktimat të cilat janë konstatuar nga Gjykata Speciale se kanë vuajtur si pasojë e luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.

Në këtë raport thuhet se nuk është e qartë se si do të kompensohen viktimat që kanë pësuar si pasojë e krimeve të luftës, mirëpo Kosova ka krijuar një fond për ndihmë juridike për të akuzuarit e DHSK-së si dhe mbështetje financiare për familjet e tyre. Në bazë të kësaj, Raporti i Progresit thekson se është kyçe që Kosova ta adresojë këtë pabarazi të trajtimit.

banner

“Kosova ka krijuar një fond që u jep ndihmë juridike të akuzuarve në Dhomat e Specializuara të Kosovës, si dhe mbështetje financiare për familjet e tyre, pa prova për nevoja financiare. Megjithatë, deri më tani nuk është ofruar asnjë mbështetje financiare për viktimat të cilat janë konstatuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës se kanë vuajtur si pasojë e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit. Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë lëshuar urdhrin e parë për dëmshpërblimin e viktimave. Prandaj nuk është e qartë se si do të kompensohen viktimat në mungesë të fondeve nga të akuzuarit ose një fondi nga Kosova për këtë qëllim. Është kyçe që Kosova ta adresojë këtë pabarazi të trajtimit”, thuhet në Raportin e Progresit.

Në raport thuhet se gjatë periudhës raportuese në Dhomat e Specializuara të Kosovës, përgatitjet paragjyqësore në dy raste kanë përfunduar dhe kanë filluar procedurat gjyqësore duke e përmendur çështjen ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar vazhduan të hetojnë dhe ndjekin penalisht shkeljet e së drejtës ndërkombëtare. Gjatë periudhës raportuese, përgatitjet paragjyqësore në dy raste kanë përfunduar dhe kanë filluar procedurat gjyqësore, duke përfshirë rastin kundër Presidentit të atëhershëm të Kosovës dhe një rast tjetër që përfshin një ish-pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në raport.

Tutje, në këtë raport përmendet edhe çështja gjyqësore ndaj Salih Mustafës, i cili është dënuar me 26 vjet burgim për tortura, ndalim arbitrar dhe vrasje, çështje kjo e cila është apeluar.

“Në një rast tjetër, Dhomat shpallën fajtor një tjetër ish-anëtar për torturë, ndalim arbitrar dhe vrasje dhe e dënuan me 26 vjet burgim. Vendimi u apelua. Është thelbësore që institucionet e Kosovës të ofrojnë bashkëpunim të plotë me Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomat e Specializuara, duke u mundësuar atyre të përmbushin mandatin e tyre në pavarësi të plotë, pa asnjë ndërhyrje të jashtme”, thuhet në raport.

Veç të tjerash, në Raportin e Progresit theksohet se ndihma e ndërsjellë juridike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në rastet e krimeve të luftës mbetet e vështirë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Aktualisht, pranë Dhomave të Specializuara janë duke u zhvilluar disa raste gjyqësore, përfshirë edhe rasti ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. /BetimipërDrejtësi

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy