Selektori i Kosovës, Primoz Gliha është deklaruar rreth fitores 1-0 ndaj Izraelit në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024.
Dardanët triumfuan me golin e vetëm të Milot Rashicës, por që lëshuan shumë shanse shënimi.
Gliha deklaroi për Klan Kosovën se ata kanë luajtur mirë nga fillimi deri në fund, ndërsa bëri të ditur se kemi lojtarë për të ardhmen.
“Secila situatë në futboll është normale. Duhet të gjesh zgjidhje për të luajtur apo të qash. Unë nuk qaj asnjëherë. Sonte kishim shumë shanse, por fusha është kjo që është”, deklaroi fillimisht ai.
“Kur krijon shumë shanse është dëshmi që skuadra ka funksionuar mirë. Unë besoj në lojtarë që i kam aktivizuar. Kanë pasur paraqitje të mira”.
“Kosova ka lojtarë për të ardhmen. Secila ndeshje është specifike. Kur Rashica e Muriqi luajnë së bashku jemi shumë të fortë. Shumë, shumë të fortë”.
“Por, prej se kam ardhur këtu kemi pasur vetëm nëntë stërvitje dhe i kemi luajtur katër ndeshje”, ka shtuar më tej Gliha.