Kryeministri Kurti në një intervistë për televizionin publik austriak është pyetur për vendimin e Austrisë për heqjen e trupave të KFOR’it në Kosovë.
“Në prill, Austria do të tërheqë gjysmën e trupave që i ka në Kosovë në kuadër të KFOR’it. A jeni të zhgënjyer?”, e pyeti gazetari.
Kurti u përgjigj duke thënë se është falënderues për rolin e Austrisë për Kosovën, derisa shtoi se vendimi i Austrisë për heqjen e trupave është sovran.
Sipas tij, Kosova dhe KFOR’i do të kenë nevojë në të ardhmen për njëra- tjetrën, përveçse të jenë pjesë e historisë së njëra-tjetrës.
“Ajo për çka kemi nevojë është më shumë trupa ushtarakë të KFOR’it, të cilët do të patrullonin me policinë tonë në kufirin me Serbinë. Ne kemi nevojë për më shumë kapacitete, ne kemi nevojë për më shumë prezencë të KFOR’it, por kemi nevojë edhe për programin për partneritet për paqe me NATO’n. E falënderoj Republikën e Austrisë, ushtarët, oficerët, gjeneralët që kanë shërbyer në Kosovë. Është vendim sovran i Republikës së Austrisë, por unë besoj që Kosova dhe KFOR kanë nevojë për njëra tjetrën në të ardhmen, përveçse të jenë pjesë e historisë së njëri-tjetrit”, tha ai.