Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar vendimin e Qeverisë për shtesat e rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Ai tha se qëndrimi i tij është racional dhe se shtesat që do t’i marrin pjesëtarët e Policisë së Kosovës, nuk janë pak.
“Unë do t’i takoj po sa të kthehem, do të thotë këtë javë që vjen dhe kjo 150 euro është. deri vonë kemi pasur pagën minimale për personat nën 35 vjeç 130 euro, për ata mbi 35 vjeç i kemi pasur 170 euro. Kjo është shtesë e rrezikshmërisë dhe rrezikshmërinë ne do ta zvogëlojmë jo veç me shtesa, por me pajisje gjithnjë e më moderne për pjesëtarët e Njësisë Speciale Internuese për të cilët unë jam shumë mirënjohës për kontributin që japin, por zgjidhja duhet të jetë racionale në Kosovë dhe nëse e shikoni me e krahasu me bruto produktin vendor për kokë banori, është mbi vendet e Evropës Perëndimore”, tha Kurti, në një intervistë për ATV.
Njësiti më elitar i Policisë së Kosovës, i njohur si FIT dy javë më parë ka protestuar para Qeverisë së Kosovës, për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj propozimit të Qeverisë së Kosovës për shtesat e rrezikshmërisë.
Përfaqësuesi i FIT-it gjatë protestës theksoi se pakënaqësitë e tyre nuk datojnë nga sot, por janë më shumë se 10 vjet.
“Jemi njësi elite e Policisë së Kosovës. Pakënaqësitë tona nuk datojnë nga sot, por më shumë se 10 vite kemi marr premtime e asnjëra nuk është realizuar. Tek Ligji i pagave edhe pse kemi kërkuar ndryshim para nëntë muajsh, kërkesat tona nuk janë realizuar”, ka thënë përfaqësuesi i FIT-it.
Ai po ashtu kërkoi nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që të marr parasysh kërkesat e tyre.