Në fshatin Qirez dhe Likoshan në Skenderaj zakonisht familjarët e 24 civilëve shqiptarë të masakruar nga forcat serbe, presin njerëz për homazhe e ngushëllime vetëm më 28 shkurt, në përvjetorin e masakrës.
Sheremet Sejdiu 82 vjeç, thotë se mërzinë për katër djemtë që iu vranë në oborrin e shtëpisë e ka në zemër tash e 25 vjet.
Ditët me shi sikur sot, plaku në moshë të shtyrë i kalon në odën në hyrje të oborrit, aty ku mbanë kujtime e fotografi të djemve.
Pesë ditë para sulmit ndaj familjes Jashari, kodrat e Qirezit dhe e Likoshanit ishin larë me gjak.
Në malet e Drenicës zbarkuan tanket e Serbisë, ku njëzet e katër civilë u ekzekutuan barbarisht nga ushtria dhe policia serbe.
“Erdha këtu e pashë katër të vdekur”, rrëfen ai për RTV Dukagjinin.
Kufomat e katër djemve në oborrin e shtëpisë po i kërkonte një plis bardhë me trup të njomë, kur i gjetën, i renditën dhe i mbuluan me flamuj kombëtarë, në Odën e Moçme, siç thotë Sheremet Sejdiu.
Ky moment u kap nga aparati i një gazetareje, që nuk i dihet emri, por që shkrepja e saj do të mbetet dëshmi e gjallë për gjithnjë.
Njërin djali e ka në Gjermani, ndërsa Bekimi dhe binjakët Nazmiu e Bedriu, plakut 82-vjeçar, ia lanë mbarë kujtimet, ndërsa djali i madh Beqiri ia la pas trashëgim nipin, mbesën dhe nënën që jetojnë në një çati me Sheremetin.
Nipi Besniku mban veshur uniformën e ushtrisë së Kosovës FSK-së.
Sipas gjyshit ai është më i heshtur, ishte tre vjeç kur ndodhi masakra, ndërsa mbesa pak muajshe.
Asaj nuk i pëlqen të flasim për të kaluarën, ndonëse ndjen krenare për sakrificën e familjes, për lirinë që e gëzojmë.
Baca Sheremet, siç e quajnë në fshat, me mysafirë është mësuar vetëm në përvjetorin e masakrës.
Mërzia thotë se e ka rënduar, e madje tregon se të gjithë ia kanë lakmi për sakrificën, por askush nuk do ta mbajë në shpirt mërzinë që e ka ai.
Njëzet e pesë vjet pas kësaj masakre, dëshmitarët po plaken e disa edhe kanë vdekur, ndërsa asnjë nga përgjegjësit e krimit nuk është sjellë para drejtësisë.