Gjykata Themelore në Prizren, të enjten ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Agim Kopreshi, duke e dënuar me 1 mijë euro gjobë, por që do t’i paguajë vetëm 640 euro, për akuzën se kishte sulmuar ekipin e Gazetës “Nacionale”, gazetarin Vullnet Krasniqi dhe kameramanin, Arbër Latifin, në protestën e organizuar kundër festivalit “DokuFest” në Prizren.
Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, të akuzuarit Kopreshi i është shqiptuar dënimi prej 1 mijë euro gjobë, në të cilën shumë është llogaritur koha e kaluar në masën e paraburgimit prej 11 gusht 2023 deri më 28 gusht 2023. Andaj, sipas vendimit i akuzuari është obliguar që të paguajë shumën e mbetur prej 640 euro gjobë.
Sipas aktgjykimit, Kopreshi është obliguar paguajë edhe shpenzimet procedurale dhe atë, në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 20 euro, si dhe në emër të mbrojtjes së viktimave shumën prej 30 euro.
Prokuroria Themelore në Prizren më 18 shtator 2023 ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit Agim Kopreshi për shkak se i njëjti më 11 gusht 2023, pranë xhamisë “Sinan Pasha” në Prizren në protestën e organizuar kundër festivalit “Doku Fest” e ka shtyrë me duar të dëmtuarin Vullnet Krasniqi dhe i është drejtuar me fjalët “ik pedofil se po të…”, ndërsa të dëmtuarin Arbër Latifi e godet me dorë dy-tre herë në pjesën e pasme të qafës.
Për këto veprime, Kopreshi akuzohej se ka kryer veprën penale “Sulmi” nga neni 184, par.1 të Kodit Penal të Republikës kështu që Kosovës nr.06/L-074 (KPRK).
Për këtë rast, ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari, të cilët kishin kërkuar që autorët e sulmeve ndaj gazetarëve, të vihen para drejtësisë.