Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se projektbuxheti për vitin 2024 nuk është i orientuar elektoralisht. Ndërkaq ndaj tij nuk munguan kritikat nga opozita.
Murati, në seancën e sotme të Kuvendit, ku po diskutohet buxheti për vitin e ardhshëm u përplas ashpër me deputetët e LDK-së në lidhje me ndarjet buxhetore për komunat e Kosovës.
Shefi i kuletës së shtetit duke treguar sipas tij, mbështetjen për nivelin lokal përmendi ndarjen buxhetore për Komunën e Prishtinës. Ai tha se kryeqytetit iu është rritur buxheti mbi 30 milionë euro prej kur ka qeverisur LDK-ja në nivel qendror.
Sipas tij, problemi në kryeqytet qëndron tek aftësia e menaxhimit të kryetarit Përparim Rama, i cili siç tha ka thyer rekord me suficit në vitin 2022.
“Ka shumë kundërthënie qoftë brenda fjalimit të një deputeti dhe mes deputetëve të një grupi të njëjtë parlamentar që njëri kërkon kështu dhe tjetri ndryshe. P.sh thuhet se buxheti është në rritjen më të vogël pastaj thonë se po doni me shfrytëzu në mënyrë elektorale. Pra, një buxhet që shfrytëzohet në mënyrë elektorale do të duhej të fuste vendin në borxhe deri në fyt, e cila nuk po ndodh, por është e kundërta…Buxheti i Komunës së Prishtinës kur ka qeverisë LDK-ja hiç më larg se para dy vite e gjysmë ka qenë 90 milionë euro, tash është 123 milionë euro. Nga këto 123 milionë euro ne si qeveri qendrore i japim 83 milionë euro, pra janë vetëm 43 milionë euro që i mbledh. Për më tepër nuk është problemi i ndarjes së buxhetit pasi buxhet kanë më shumë se më parë. Komuna e Prishtinës e ka problem te aftësia me menaxhu mjetet që i ndahen, vitin e kaluar suficiti i Komunës së Prishtinës ka qenë 48 milionë euro, vlerë e rekord si asnjëherë më parë. Sivjet ka me u thye ai rekord që e kanë pasur vjet”, tha ai.
Atij i reagoi deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila tha se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka bërë punë sa krejt ministrat e kabinetit qeveritar bashkë.
Duke iu referuar kritikave të ministrit ndaj kolegut të saj partiak Avdullah Hoti, ajo tha se i njëjti mundet me i mbajt vetëm ligjërata ministrit Murati.
“Sa i përket normave të interesit zotëri Hoti mundet veç ligjërata të të mbajë ty. Ai veç një faj e ka, që të ka lënë të punosh në Ministri të Financave dhe ke dal produkt kaq i dobët… Sa i përket suficitit të Prishtinës, mos e harroni se Përparim Rama e ka trashëguar prej pushtetit tetë vjeçar të LVV-së. Ndërkohë, kryetari Rama dhe Komuna e Prishtinës po bëjnë punë sa krejt ministritë bashkë dhe sa krejt ju bashkë. Cila është trashëgimia që ju do ta leni? Kjo është pyetja pasi në opozitë keni hyrë në histori me gaz lotsjellës, molotov dhe zolla, ndërsa tash çka do t’i leni trashëgimi këtij vendi pas mandatit të juaj”, theksoi Bajrami.
Mirëpo, ministri Murati, tha se qeveria i ka financuar disa projekte të mëdha në Prishtinë, për të cilat, sipas tij, kryetari i Prishtinës Përparim Rama ka bërë vetëm fotografi.
“A sa i përket punëve? Fotografi po, ama punë nuk e di. Se për fotografi e di. P.sh. tu u nis prej Lojërave Mesdhetare, ngrohjes qendrore të qytetit, financimi i koncertit në Pallatin e Rinisë… do të thotë për të gjitha këto fotografitë i ka postu, edhe i pari, sepse ne s’po kemi kohë. Mirëpo me punu ai, pak ma kadale”, ka thënë ai.
Kritik ndaj ministrit Murati u shpreh edhe deputeti i PDK-së, Ferat Shala, i cili tha se projektbuxheti për vitin 2024 për komunat është tipik diskriminues dhe i papranueshëm.
“Buxhet tipik diskriminues i papranueshëm në kuptimin njerëzor dhe social mbi bazën e vetëm kriterit politik, pasi kriter tjetër nuk shoh se ka. Gjilani investim kapitale të planifikuara të reja po flasim 22.4 për qind, pse si meriton Prishtina që ia keni dhënë 7.03 për qind? Pse nuk i meriton kryeqyteti në raport me Gjilanin, ose Shtime 7,63 më shumë se Prishtina? Po pse si meriton Mitrovica që ia keni nda 5.02 për qind ose Kamenica që ka 6.66? Por si ka mundësi që Kaçaniku me pas investime të reja vetëm 2.09 apo Podujeva 6.14, por pse Prizreni 2.09 investime të reja, Drenasi jem 0.5 dhe Skenderaj 0.4?”, tha Shala.