Zv/ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se deputeti i LDK’së Avdullah Hoti ka gënjyer kur ka thënë se nuk është ndarë buxhet për rrugën nga Gorenje deri në Graçanicë.
Durmishi ka thënë se për këtë rrugë kan nisur procedurat e prokurimit dhe se për këtë rrugë janë ndarë 2 milionë e gjysmë euro.
“Sapo gënjeu Avdullah Hoti. Tha se nuk është ndarë buxhet për rrugën nga Gorenje e deri në Graqanicë. Për këtë rrugë kemi filluar procedurat e prokurimit dhe me 21 nëntor është hapja e ofertave. Gjithashtu në buxhetin që e kanë deputetët para vetës për këtë rrugë janë ndarë 2 milion e gjysmë euro”, ka shkruar Durmishi.
Gjatë seancës së sotme për projektbuxhetin për vitin 2024 deputeti Avdullah Hoti ka thënë se në buxhet nuk është përfshirë rruga Prishtinë- Hajvali- Graçanicë.
“Unaza e qytetit, rruga A, rrethrrotullimi në Veternik në Hajvali, ai në Lakrishtë, rruga Prishtinë- Hajvali- Graçanicë që nuk janë të parapara fare në buxhet”, tha ai.