Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, foli në konferencë për shtyp, para ndeshjes me Moldavinë.

Mbrojtësi deklaroi se ekipi është shumë afër kualifikimit dhe duhet të bëjnë ëndrrën realitet. Sipas tij, ekipi nuk do të luajë për barazim, pasi në natyrën e vet, kanë fitoren, prandaj do të synohen 3 pikët.
“Ka kujtime sidomos kur je në aeroplan dhe ke në dorë kualifikimin, ka qenë një ndjenjë e mirë dhe duhet ta përsërisim, janë shumë lojtarë që nuk e kanë përjetuar, por do vijmë këtu dhe do japim gjithçka në fushë. Brenda ekipit jemi të njëjtë, presioni dhe të ndihmon dhe nuk duhet të shqetësohemi, duhet të ndihmojmë lojtarët që janë më të rinj, të gjithë e dinë që jemi shumë afër, por nuk duhet të harrojmë sa jemi munduar dhe të bëjmë ëndrrën realitet.
Do të jetë shumë e vështirë, si ndeshjet e tjera. Do e përballojmë si gjithmonë. Nuk e harrojmë që në ‘Air Albania’ kishim pak raste deri në supergolin e Asanit. Jemi përgatitur shumë mirë për të përballuar fushën dhe të shkojmë në të njëjtin drejtim.
I gjithë ekipi nuk hyn për barazim, edhe nëse është ekip i dobët, nuk futemi në fushë për barazim. Në natyrë e kemi të marrim 3 pikët në çdo lojë. Nëse nuk do të kishim këtë mentalitet do të kishim mundësi për të gabuar më shumë.”, deklaroi Gjimshiti.