Ministria e Liburn Aliut shpërblen me pozitë të re të sanksionuarin nga SHBA për korrupsion të madh

by Nexhat

Nexhat Krasniqi do të vazhdojë të jetë drejtor në ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ani pse të njëjtin ditë më parë – Departamenti amerikan i Shtetit e ka vendosur në listën e sanksioneve “për shkak të përfshirjes në korrupsion të madh”.

Pas sanksionimit nga SHBA-të pritej shkarkimi i tij i plotë, mirëpo i njëjti është shpërblyer me pozicion të ri.

Ministria që drejtohet nga Liburn Aliu, në një vendim që mban datën 15 nëntor, thuhet se Nexhat Krasniqi caktohet përkohësisht Drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore.

“Nexhat Krasniqi, i pezulluar me Vendimin nr.8434 të datës 03.11.2023, nga pozita Drejtor i Devizionit të Prokurimit të cilën e mban sipas Aktemërimit, caktohet përkohësisht Drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore, në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, thuhet në vendim, një kopje të të cilit e ka siguruar Buletini Ekonomik.

Para marrjes se kësaj pozite, Krasniqi e ka drejtuar për një kohë të gjatë prokurimin në ministrinë me më së shumti tenderë në Kosovë, atë të Infrastrukturës. Kjo ministri drejtohet nga Liburn Aliu.

Departamenti Amerikan i Shtetit e kishte vendosur në listën e sanksioneve Nexhat Krasniqin, ish-drejtorin e Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, për shkak të përfshirjes në korrupsion të madh. Sipas njoftimit, atij do t’i ndalohet hyrja në SHBA.

“Si zyrtar publik përgjegjës për mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, Krasniqi ka abuzuar me postin e tij publik duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të parkut industrial në komunën e Drenasit nga kompania Eltoni”, u tha në njoftim.

Sipas DASH-it, veprimet e sotme të SHBA-së dëshmojnë se Uashingtoni qëndron me ata në Kosovë që kërkojnë përgjegjësi nga zyrtarët e korruptuar publik.

“Ky vendim riafrimon përkushtimin e SHBA-së për luftimin e korrupsionit që dëmton interesat publike, pengon prosperitetin ekonomik të shteteve dhe zvogëlon aftësitë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të shtetasve të tyre”.

Po ashtu, nën sanksione janë vendosur edhe fëmijët e Krasniqit, Aulona dhe Olti Krasniqi, të cilëve po ashtu nuk do t’iu lejohet hyrja në SHBA.

Në vitin 2015, Krasniqi u dënua me 26 muaj burgim pasi u gjet fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e Parkut të Biznesit në Drenas. Krasniqi kishte qenë edhe në departamentin e prokurimit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Emri i Krasniqit ishte përmendur edhe në rastin gjyqësor për keqpërdorime në Ministrinë e Telekomunikacionit kur atë e drejtonte Fatmir Limaj, që atëbotë ishte zyrtar i Partisë Demokratike të Kosovës. Në aktakuzë dyshohej se Krasniqi dhe Limaj kishin krijuar një grup të organizuar kriminal dhe kishin keqpërdorur autoritetin zyrtar dhe kishin marrë ryshfet, duke favorizuar një kompani në procesin e prokurimit. Por, Krasniqi ishte liruar nga akuzat.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy