Vrasja e burrit me sëpatë nga gruaja, gjykimi do të jetë i mbyllur për publikun

by Nexhat

E pandehura Suzana Zogëjani-Sekiraqa, e cila akuzohet se e kishte vrarë burrin e saj duke e goditur me sëpatë “të paktën 11 herë” në regjionin e qafës, ka dalë sërish para gjyqit.

Në Gjykatën e Prishtinës sot është mbajtur seanca e rigjykimit.

Ngjarja makabre pretendohet se ka ndodhur në Francë para pesë vitesh.

Për këtë rast, e pandehura ishte dënuar në vitin 2019 nga Gjykata e Prishtinës me 25 vjet burgim. Aktgjykimi ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme.

Por, Gjykata Kushtetuese kishte vlerësuar se këto instanca gjyqësore nuk kanë përmbushur detyrimin që ta mbronin interesin më të mirë të fëmijës në procedurën penale, duke e kthyer çështjen në rigjykim.

Ky vendim i Kushtetueses u mor nga Gresa Caka-Nimani – kryetare, Bajram Ljatifi zëvendëskryetar, dhe gjykatësit Selvete Gerxhaliu-Krasniqi, Safet Hoxha, Radomir Laban, Remzije Istrefi-Peci, Nexhmi Rexhepi dhe Enver Peci.

Pikërisht për mbrojtje të interesave të fëmijës dhe dëshmitarëve në procedurë, gjykatësi Avni Syla sot mori aktvendim me të cilin e mbylli seancën për publikun.

Vendimi erdhi pasi avokatja e të akuzuares, Kosovare Kelmendi, tha se që nga seanca e kaluar ka pasur pasoja të rënda pas publikimit të seancës dhe se ishte etiketuar edhe nga publiku.

“E kam të vështirë ta ushtroj profesionin tim, ngase njerëzit nuk e kuptojnë pozitën e mbrojtësit. Ne nuk e mbrojmë krimin, i mbrojmë interesat e të mbrojturit” – u shpreh ajo në seancë.

Kështu, meqë as prokurorja Bukurije Gjonbalaj nuk e kundërshtoi propozimin e avokates, u vendos që gjykimi ndaj të pandehurës të jetë i mbyllur për publikun.

Në këtë seancë nuk prezantuan Zyra për Mbrojtjen e Viktimave, me arsyetimin se nuk kishin staf të mjaftueshëm për të marrë pjesë.

Historiku procedural i rastit

Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte gjetur fajtore Suzana Zogjani-Sekiraqën dhe e kishte dënuar me 25 vjet burgim për vrasje të rëndë.

Vendimi ishte marrë nga gjykatësi Beqir Kalludra kryetar, kurse anëtarë Shashivar Hoti dhe Lutfi Shala.

Në dënim i ishte llogaritur dhe koha e kaluar në paraburgim nga data 5 tetor 2018.

Ky dënim ishte vërtetuar nga Apeli më 3 korrik të vitit 2020, dhe nga Supremja më 20 maj të vitit 2021.

Gjykata Kushtetuese e ka kthyer këtë rast në rigjykim duke vlerësuar se Gjykata Themelore, Apeli dhe Supremja nuk i kishin përmbushur detyrimet e tyre ligjore për një “gjykim të drejtë dhe të paanshëm”.

Kolegji i gjyqtarëve të cilët vendosën në Apel janë Kreshnik Radoniçi kryetar, Xhevdet Abazi dhe Abdullah Ahmeti – anëtarë.

Gjykata Supreme ishte në përbërje nga Nesrin Lushta kryetar, Mejreme Memaj gjyqtare referuese dhe anëtar Rasim Rasimi, kur vendosi për kërkesën e ligjshmërisë nga e akuzuara Suzana.

Sipas Gjykatës Kushtetuese nuk është zbatuar Konventa për të Drejtat e Njeriut nga gjykatat e rregullta të lartpërmendura.

Sipas aktakuzës, më 21 nëntor 2018 rreth orës 8:30 në banesën e saj në qytetin Dole – Francë, ku ishin duke jetuar së bashku me të ndjerin, e pandehura Suzana Zogjani – Sekiraqa me dashje ka privuar nga jeta në mënyrë mizore bashkëshortin e saj.

Ajo në gjykatë nuk e kishte pranuar fajësinë të përshkruar sipas prokurorisë, duke deklaruar se vrasjen e kishte kryer në vetëmbrojtje.

Në këtë proces gjyqësor aktualisht është duke vazhduar dëgjimi i dëshmitarëve francezë përmes video-lidhjeve, me trup gjykues nga Avni Syla kryetar, Sulltane Hoti dhe Edita Çanta anëtarë, raporton Kallxo.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy