Zgjerimi i Bashkimit Europian do ta bëjë bllokun 17 anëtarësh më të pasur, më të sigurt dhe më të begatë dhe gjithashtu do të sigurojë stabilitet dhe paqe për vendet e Ballkanit Perëndimor, tha dje presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, në vizitën e tij në Zagreb.
Javën e kaluar, komisioni ekzekutiv i BE-së rekomandoi që Ukraina dhe Moldavia duhet të fillojnë negociatat për anëtarësimin në BE në pritje të përmbushjes së kushteve të pazgjidhura, si dhe Bosnje-Hercegovina. Ai rekomandoi gjithashtu që Gjeorgjia të merrte statusin e kandidatit për anëtarësim, shkruan Reuters,
Udhëheqësit kombëtarë të BE-së duhet të vendosin në mes të dhjetorit nëse do të pranojnë rekomandimin e Komisionit. Çdo vendim i tillë kërkon unanimitet të 27 anëtarëve të bllokut, me Hungarinë që shihet si pengesa kryesore e mundshme.
Të enjten, Michel mbërriti në kryeqytetin e Kroacisë për bisedime mbi agjendën strategjike, duke përfshirë zgjerimin, me kryeministrat e vendit pritës, Maltës, Polonisë dhe Italisë. Ai tha se vendet anëtare të BE-së duhet të arrijnë unitetin për çështjet strategjike
I pyetur nëse sheh një kërcënim të Rusisë që drejton një konflikt të ri në Ballkanin Perëndimor për të larguar vëmendjen nga lufta e saj në Ukrainë, siç pretendoi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy para gazetarëve, Michel tha se nuk përjashtohet.
“Ne nuk mund të përjashtojmë tundimet e Rusisë apo edhe të tejrëve që të përpiqen të ndërhyjnë, të përpiqen të ndikojnë dhe kjo është arsyeja pse jemi absolutisht të bindur se përparimi në rrugën e BE-së është vërtet i rëndësishëm për të krijuar stabilitet dhe për t’u siguruar që ky rajon do të jetë paqësor”.
Kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviq tha se mund të ketë disa pika të nxehta të destabilitetit në Europën Juglindore, por Kroacia mbështet fuqishëm rrugën e fqinjëve të saj në BE.
“Vetëm ankorimi i vendosur i fqinjëve tanë në proceset europiane do të garantojë paqen, sigurinë, stabilitetin dhe marrëdhëniet më të mira shumëpalëshe”, tha Plenkoviq.
“Gjëja e fundit që i duhet BE-së është një luftë tjetër në Europën Juglindore”.
Kroacia ishte vendi i fundit që iu bashkua BE-së në vitin 2013, por pushtimi rus i Ukrainës e ka kthyer zgjerimin në krye të agjendës së BE-së.
Serbia dhe Republika Serbe autonome e Bosnjës janë neutrale në lidhje me pushtimin rus të Ukrainës dhe mbajnë marrëdhënie të ngushta me Moskën.