Komisioni Europian konfirmon alarmin e ngritur nga Ukraina për një plan të Rusisë për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.
Zëdhënësi Peter Stano u pyet lidhur deklaratat e liderit të Kievit, Volodymyr Zelensky, që kërkoi që t’i kushtohet vëmendje të madhe rajonit tonë pasi Moska po investon që të sigurohet që vendet e Ballkanit të luftojnë njëri tjetrin.
“Rusia po përgatit luftë në Ballkan”, Zelensky: Kemi provat, pas Lindjes së Mesme do të destabilizojë rajonin
Zyrtari i BE-së tha se kjo nuk është diçka e re, pasi prej kohësh janë denoncuar përpjekjet malinje të Rusisë për të ndikuar në territorin e Ballkanit Perëndimor.
“Ne jemi në të njëjtën linjë me presidentin e Ukrainës. Ne e dimë që Rusia po bën gjithçka që mundet për të mbjellë pakënaqësi, paqëndrueshmëri politike, ndërhyrje të jashtme dhe manipulim informativ. Prandaj ne po rrisim aktualisht bashkëpunimin dhe asistencën tonë në partnerët në Ballkanin Perëndimor kur vjen punë për fuqizimin e kapaciteteve dhe aftësive për t’u përballur me këtë formë të kërcënimeve hibride dhe ndërhyrjes së jashtme.”, deklaroi Peter Stano, zëdhënës i Komisionit Evropian.
Zëdhënës i Komisionit Evropian nuk pranoi të jepte detaje, pasi siç tha ai nuk bëhen publike informacionet e shkëmbyera me partnerët, veçanërisht për çështje sensitive.
“Gjithsesi ne kemi informacion për këtë çështje. Prej kohësh ne i kemi vëzhguar me kujdes këto aktivitete nga Rusia. Ne jemi në unison të plotë dhe jemi në dijeni të asaj çfarë Rusia po përpiqet të bëjë dhe po punojmë shumë fort me partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor për t’i pajisur ata me aftësitë për t’i përballuar ato.”, vijoi Stano.
Kërcënimet që vijnë nga Rusia për vendet e rajonit tonë kanë qenë temë bisede e ministerialit të fundit BE-Ballkani Perëndimorë.