Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka filluar një tjetër proces gjyqësor ndaj të akuzuarit Zoran Vukotiq, i cili nga Prokuroria Speciale akuzohet për krime lufte. Por, gjykimi u mbyll për publikun.
Gjykatësja e rastit, Violeta Namani, tha se shkak i mbylljes së seancës është mbrojtja e jetës dhe të dhënave personale të së dëmtuarës në këtë rast.
Paraprakisht, propozimin për mbyllje të këtij gjykimi për publikun e bëri prokurorja speciale Drita Hajdari, pasi sipas saj në rast se gjykimi mbahet i hapur për publikun, krijohen pasoja të pariparueshme për të dëmtuarën.
“.. rasti është mjaft sensitiv, ju e dini që në këtë lëndë ekziston edhe masa mbrojtëse me të cilën është ndaluar gjykimi publik, respektivisht është urdhëruar gjykimi jopublik. Arsyeja për këtë është mbrojtja e integritet të viktimës së dhunimit dhe me zbulimin e identitet të saj ishin shkaktuar pasoja të pariparueshme për personalitet dhe jetën e saj, kështu që kërkoj që ky gjykim të mbahet pa prezencën e publikut”, tha prokurorja Hajdari.
Ky propozim nuk u kundërshtua nga mbrojtësi i Vukotiq, avokati Lujubomir Pantoviq. Kurse, vetë Vukotiqi tha se për të është njëjtë, pasi në fund të procesit sërish dihet verdikti i gjykatës, duke u bërë publik i njëjti.
Në fillim të seancës, gjykatësja Namani ka bërë të ditur se aktakuza ndaj Vukotiqit është ngritur më 4 tetor 2023, i cili ngarkohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” dhe aktualisht i emëruar si krim kundër njerëzimit.
Lidhur me gjykimin tjetër ndaj Vukotiqit, Gjykata Supreme e ka vërtetuar aktgjykimi e Gjykatës së Apelit, me të cilin ishte dënuar me 13 vjet burgim lidhur me akuzat për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë. /BetimipërDrejtësi