Lumir Abdixhiku e lavdëroi punën e tij në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së, përpara se të rizgjedhej në krye të partisë edhe për 4 vjet.
Ai tha se komunikimi i LDK-së me të në krye është “një model i vërtetë politik në Kosovë e jo vetëm”.
Në opozitë, Abdixhiku foli se si LDK-ja “ka ndjekur rrugën institucionale” dhe se si nuk kanë vepruar në Kuvend në mënyrë destruktive e polarizuese,
“Si pjesë e opozitëbërjes parlamentare, LDK-ja në Kuvendin e Republikës ka ndjekur rrugën institucionale, të përgjegjshme për interesat shtetare të Republikës dhe në mbrojtje të demokracisë dhe lirisë së mendimit”, tha Abdixhiku.
“Grupi ynë Parlamentar, përkundër kërkesave jo të pakta publike, nuk ka replikuar opozitëbërjen destruktive e polarizuese për standard veprimi në këtë vend”, shtoi ai.
Deputetët e LDK-së, Abdixhiku tha se ishin “zë udhëheqës në Kuvend”.
“Kam thënë gjithherë: ne nuk bëhemi si ta sepse s’jemi si ta. Ne jemi thjesht Lidhja Demokratike e Kosovës”, tha Abdixhiku.
Për procesin e sotëm zgjedhor, që e konfirmoi atë në krye të partisë, Adbxihku tha se ishte “përcaktues për vetë fatin e Republikës, për fatin e brezave të tashëm e të ardhshëm të brezave që vijnë”.
Ai foli edhe për Qeverinë aktuale, për të cilën tha se udhëhiqet “nga populistë” dhe “mohues të saj”, ndërsa tha se Kosova “po goditet në themele”.
Abdixhiku përmendi se në Kosovë ka edhe “polarizim të shfrenuar të shoqërisë”, pasi tha se Qeveria aktuale “e ka mbytur frymën kolektive të shoqërisë, siç edhe ka mbytur aspiratat individuale të secilit”.