Kuvendi me shumicë socialiste miratoi sot buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm, në një seancë të shkurtër, kur një grup deputetësh opozitarë protestuan me tymuese dhe përmbysje të karrigeve, duke kërkuar komisione hetimore
Këta të fundit erdhën sërish herët në sallën e seancave plenare, përmbysën karriget e tyre pranë foltores, ku ishin rreshtuar një varg punonjësish të sigurisë.
Disa prej deputetëve opozitarë ndezën tymuese pranë foltores dhe në tryezat e tyre të punës në përpjekje për të pamundësuar zhvillimin normal të seancës, ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama.
Drejtuesja e Kuvendit, Lindita Nikolla, komunikoi rendin e ditës në mes të thirrjeve, zhurmave dhe tymrave shumëngjyrëshe, duke u kërkuar deputetëve opozitarë të merrnin pjesë në diskutimin e projekt-buxhetin e ri.
“Pse ju nuk doni të diskutoni për buxhetin? Pse ju nuk uleni të diskutoni për investimet dhe rritjen e pensioneve dhe pagave për punonjësit e shërbimeve publike?”, tha zonja Nikolla.
Pas thirrjeve në sallë nga disa deputetë të opozitës, ajo nisi procesin e votimit, ku buxheti i ri mori votat pro të deputetëve të majtë.
Ish kryeministri Sali Berisha deklaroi se votimi i buxhetit është antikushtetues nga një shumicë e frikësuar prej aksionit opozitar
“Kjo shumicë vazhdon të shkelë të drejtat kushtetuese të opozitës për komisione hetimore parlamentare. Aksioni opozitar do të vazhdojë pa ndalim për të rikthyer demokracinë në vend”, tha zoti Berisha.
Ndërsa drejtuesi i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Blendi Çuçi, shprehu habinë dhe keqardhjen pse opozitarët nuk morën pjesë sot në shqyrtimin e buxhetit më të madh me rritje pagash dhe investimesh, prej mbi 7 miliardë eurosh, që ka ardhur ndonjëherë në Kuvend.
“Kjo është shfaqje e luftës së brendshme në radhët e Partisë Demokratike. Ne nuk kemi krizë. Krizë ka opozita”, tha zoti Çuçi.
Prej disa seancash me radhë një grup deputetësh opozitarë po përpiqen me këtë formë protestash të frenojnë veprimtarinë e Kuvendit në komisione dhe në seancë plenare.
Por socialistët kanë vazhduar mbledhjet online në komisione dhe me seanca të shkurtuara në seanca plenare, ku foltorja bllokohet me karrige nga opozitarët.
Përfaqësues të Partisë Socialiste janë shprehur se ky grup deputetësh opozitarë kanë zgjedhur këtë mënyrë sjellje vetëm për të mbrojtur interesat personale të ish kryeministrit Berisha, i cili është shpallur së fundi person nën hetim nga Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata e Posaçme kundër krimit dhe Korrupsionit për çështjen e ish Kompleksit Sportiv Partizani.
Zoti Berisha është shpallur person non grata nga SHBA-të për shkak të korrupsionit dhe cënimit të demokracisë dy vjet më parë, ngjarje që u pasua me zhvillime të vrullshme në Partinë Demokratike, e cila është ndarë në grupime pro dhe kundër tij./VOA
.