Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë shpalli person non grata Hrvoj Shnajderin, sekretarin e parë në Ambasadën e Republikës së Kroacisë në Beograd.
Siç shkruhet në sqarimin e publikuar në ueb faqe më 20 nëntor, ministria e ka marrë atë vendim në përputhje me nenin 9 të Konventës së Vjenës, i cili rregullon marrëdhëniet diplomatike-konsullore
“Gjatë angazhimit të tij profesional në Republikën e Serbisë, Shnajder ka shkuar jashtë kufijve të normave diplomatike dhe ka shkelur Konventën e lartpërmendur. Me këtë rast, ambasadorit të Republikës së Kroacisë, Hidajet Bishçeviqit i është dorëzuar nota diplomatike”, thuhet në njoftim.
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Serbisë, shtohet, “shpreh keqardhje për sjelljen e diplomatit të lartpërmendur në periudhën e kaluar, e cila nuk kontribuon në përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Republikës së Serbisë dhe Republikës së Kroacisë, bashkëpunimin fqinjësor dhe ngritjen e përgjithshme të nivelit të paqes dhe stabilitetit në rajon”.
“Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Serbisë shpreh pritjen se Republika e Serbisë dhe Republika e Kroacisë do të punojnë së bashku për të ndërtuar besimin e ndërsjellë, me qëllim arritjen e një të ardhmeje të përbashkët evropiane”, u tha për fund.