Djemtë e Kosovës U19 kanë arritur të kualifikohen në ‘Elite Round’ për kualifikimet e Kampionatit Evropian 2024, pasi grumbulluan pesë pikë dhe përfunduan në vendin e dytë. Në ndeshjen e fundit në kuadër të grupit të 7-të, Dardanët U19 barazuan ndaj Kombëtares së Maltës, me rezultat 2:2.
Në pjesën e parë ndonëse Dardanët u gjenden në disavantash pas golit të Mathias Fenech në minutën e 6-të, në vazhdim mbizotëruan dhe krijuan disa raste shënimi. Shifrat u barazuan në minutën e 39-të, kur Barabara i Maltës ndërhyri brenda zonës ndaj Gashjanit dhe gjyqtari grek Fotias tregoi në pikë e bardhë.
I saktë nga 11-metërshi ishte Eliot Bujupi. Sulmet e Dardanëve ishin të parreshtura drejt portës malteze dhe si rrjedhojë në minutën e 42-të Gerbovci e kaloi Kosovën në epërsi në 2:1, me të cilin rezultat u përmbyll pjesa e parë. Në pjesën e dytë Dardanët luftuan për ta shtuar epërsinë por nga dëshira e madhe nuk ishin konkretë para portës malteze.
Në minutën e 82-të ndërhyrjen e Shahinit ndaj Tumes gjyqtari e akordoi në penallti, nga ku Caruana barazoi në 2:2, me të cilin rezultat u mbyll ndeshja e fundit e këtij turneu kualifikues.