Gani Jakupi merr 7.500 euro pagë mujore nga Ministria e Punëve të Jashtme e Donika Gërvallës. Ai jeton në Spanjë por është angazhuar nga ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, si ‘këshilltar i jashtëm për çështje kulturore dhe mediatike’.
Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e udhëhequr nga Donika Gërvalla, nuk i janë dashur as dy javë për ta gjetur një ‘super-konsulent’ me emrin Gani Jakupi për ta këshilluar Ambasadën e Kosovës në Bruksel, lidhur me çështje që kanë të bëjnë kryesisht me diplomacinë publike dhe kulturore, raporton Periskopi.
Në qershor të këtij viti, Ministria e Donika Gërvallës, nëpërmjet një vendimi ia ka deleguar kompetencat e negociimit dhe nënshkrimit të një kontrate për një konsulent të jashtëm, ambasadorit të Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami.
Eksperti do të gjendej shpejt. Quhet Gani Jakupi dhe jeton në Barcelonë të Spanjës.
Paguhet nga buxheti i Kosovës, hiç më pak se 7,500 euro në muaj ose 90.000 euro për një vit. Nga përshkrimet online që i bëhen Jakupit, referencën më të shpeshtë rreth tij, mund ta gjeni të përmbledhur kështu: ‘ai është një artist shumë-dimensional’.
Për ta gjetur konsulentin, Ministria e Jashtme kishte hapur ofertë më 13 qershor 2023 dhe dy ditë më vonë, pra më 15 qershor 2023, Komisioni vendos të mblidhet për ta përfunduar procesin e vlerësimit (të kandidatit, v.j).
Katër ditë më vonë, më 19 qershor 2023, Ministria e Jashtme e Donika Gërvallës, nëpërmjet një vendimi, ia delegon kompetencat për këtë proces, ambasadorit të Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami (shih vendimin më lart).
Ky i fundit, nëpërmjet vendimit të MPJ-së, të datës 19 qershor 2023, merr kompetencën që i delegohet për super-këshilltarin dhe të nesërmen, më 20 qershor 2023, lidh kontratë me Gani Jakupin – që sipas saj, referohet si ‘Konsulent i Jashtëm për Çështje Kulturore dhe Mediatike’.