Një “Non Paper” i prodhuar nga shtatë shtete anëtare Bashkimit Evropian (BE), që në total ka 27 vende anëtare, tashmë është dorëzuar në kancelaritë kryesore të unionit.
Austria, Kroacia, Çekia, Greqia, Italia, Sllovakia e Sllovenia e bënë atë për Kosovën dhe pesë shtetet tjera të rajonit, për të përshpejtuar integrimin e tyre në BE.
Në dokumentin që u publikua të premten e 17 nëntorit, në 14 pika propozohen bashkëpunime speciale BE-Ballkani Perëndimor, në fushat e politikës së jashtme dhe të sigurisë, nisur nga 2024-ta.
Nga gjashtë vendet aspiruese është Serbia ajo e cila reagoi me tone aspak mirëpritëse për “Non Paperin”, sidomos për shkak Kosovës.
“Ne Kosovën nuk e konsiderojmë shtet, pra qëndrimet tona dallojnë nga disa shtete të këtij grupi. Në gjithë këtë ne pajtohemi me një pjesë e me një tjetër jo, sepse nuk mund të pajtohemi kur bëhet fjalë për çështjet e statusit. Kështu që nëse dikush do të donte që kjo të funksionojë normalisht, atëherë s’duhet të insistohet në këto çështje të statutit. Por të flasim konkretisht që Ballkani Perëndimor të hyjë në BE”, tha ministri i punëve të jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, për portalin “Kosovoonline”.
Nga shtatë vendet nismëtare të “Non Paperit”, dy prej tyre Sllovakia dhe Greqia, nuk e pranojnë Kosovën shtet të pavarur e sovran.
Termi “Non Paper” përdoret për t’iu referuar një letre e cila nuk është zyrtare dhe nuk mban një vulë të një qeverie. Një dokument me këtë titull në thelb është mjet me të cilin, në marrëdhëniet ndërkombëtare konsiderohet subjekt pa e trajtuar procesin si zyrtar.