Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se partia e tij s’do të votojë asnjë marrëveshje ndërkombëtare meqë vendi gjendet nën masa ndëshkuese nga Bashkimi Europian.
“Si GP e PDK-së i kemi votuar në Kuvend për dy vjet e gjysmë 52 marrëveshje ndërkombëtare. Vlera e tyre shkon në 860 milionë euro. Kur po flasim për t’i votuar edhe nëntë të tjera, vendi është nën sanksione, vendi është nën masa restriktive nga BE dhe SHBA. Hiç më pak se 300 milionë euro janë të bllokuara nga BE nga ato marrëveshje që ne i kemi votuar. Prandaj, si GP i PDK në asnjë rrethanë nuk pajtohemi që sot të vijnë për diskutim e votim marrëveshjet tjera ndërkombëtare. Si GP i PDK nuk do t’i votojmë sepse vendi është nën masa dhe sanksione pikërisht nga BE. Pra, paratë nga marrëveshjet e votuara sot s’arrijnë me u disbursu. Nga ana tjetër, shtoje faktin këtu të paaftësisë në qeverisje, të parave që janë bartur nga projektet kapitale prej vitit 2023 në vitin 2024. Pra, ne të votojmë ta rrisim borxhin publik, t’i shtijmë në borxh gjeneratat e reja dhe me një qeveri kaq të paaftë është e papranueshme”
Tahiri tha se nuk mundin që me vetëdije “t’ia rrisin dëmin ndaj këtij vendi”.
“Nuk mund të bëhemi me vetëdije pjesë këtij dëmi për të ardhmen e vendit tonë. Pse duhet me shku deri në fund të mandatit me një qeverisje kaq të dobët. Po e dimë paaftësinë e tyre. “Ne si opozitë duhet të angazhohemi që sa më parë kësaj qeverie t’ia shkurtojmë jetën. T’ia bëjmë të pamundur qeverisjen, vazhdimin e dëmit”.