Valon Syla, analist dhe pronar i gazetës online “Metro”, ka thënë se sulmi që i kishte ndodhur natën e 11 prillit 2023, nga tre të akuzuarit, ishte mirë i organizaur derisa ka kërkuar nga gjykata që një veprim i tillë të dënohet si akt me tendenca terroriste. Ndërsa, mbrojtësit e të akuzuarve Lum Dervishi, Kenan dhe Okan Hasani, kanë thënë se ngjarja kishte ndodhur papritmas dhe se nuk ishte qëllimi i tyre ta lëndonin Sylën.
Deklarimi i Sylës dhe i mbrojtësve të të akuzuarve, ka ndodhur të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ku ka dëshmuar i dëmtuari dhe dëshmitari i ngjarjes, gazetari Ilir Mirena.
Gjatë dhënies së dëshmisë para gjykatës, Syla ka thënë sulmi i ka krijuar pasiguri dhe se i është kufizuar liria e lëvizjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“E theksoj se sulmi është i organizuar… dhe ka tendenca teroriste, me qëllim të frikësimit të njerëzve të opinionit publik..”, ka thënë Syla, në dëshminë e tij para gjykatës.
Ai ka kërkuar nga gjykata që rastin të mos e cilësojë si kacafytje për një parking.
“Këta persona dikun brenda duhet ta kenë këtë tendencë terroriste dhe mendoj se personat me tendenca terroriste të evidentohen dhe mos të sillemi se jemi kacafytë për parking. Tendenca është frika”, ka shtuar ai.
Ai ka mohuar se u është drejtuar të akuzuarve me fjalën “majmun”.
Ndërkohë, Syla ka deklaruar në gjykatë se njëri nga sulmuesit kishte pamje e Lavdrim Muhaxherit që kishte marrë pjesë në luftërat në Siri si pjesë e organizatave terroriste.
“Flokët e gjata mjekra e stilit vehabi, mjekrën pa mustaqe, me një kapelë në kokë, stilit bejsbollit ndoshta i përngjante të famshmit Lavdrim Muhaxheri”, ka deklaruar Syle teksa ka përshkruar të akuzuarin Lum Dervishi.
Syla tha se sulmi nga tre të akuzuarit mund të ketë ardhur për shkak të një postimin në “Facebook” lidhur me një dhuratë që i ishte bërë një hoxhe.
Sipas Sylës, të akuzuarit e kishin përndjekur nga zyrat e Televizionit “T7” deri te kafja ku kishte shkuar pas emisionit.
Gazetari Syla ka thënë se kur ishte takuar me të akuzuarit fillimisht njëri prej tyre i kishte kërkuar të ndalet veç pak por me një stil të ashpër dhe i gatshëm për të sulmuar.
Syla tha se i akuzuari Lum Dërvishi e kishte goditur e tek më pastaj edhe dy persona të tjerë që nuk kishte arritur t’i shikonte pasi e kishte mbuluar fytyrën për t’u mbrojtur.
Ai tha se ishte goditur në pjesë e sipërme të kokës për çka edhe kishte marrë tretman shëndetësor, duke e qepur plagën dhe se paraprakisht nga plagët e marra kishte pasur shumë gjakderdhje.
Po ashtu Syla tha se liria e shprehjes garantohet me ligj dhe Kushtetutë dhe se sipas tij nga postimi e bëra nuk është asgjë e ndaluar me ligj.