Zyrtari i LDK-së, Visar Azemi, ka reaguar pasi Gjykata Kushtetuese ia ka rrëzuar Qeverisë Ligjin për çmimet tavan. Ai thotë se ky vendim ka ardhur pas ankesës së LDK-së, parti të cilën e ka quajtur “gardiane të Kushtetutës dhe themeleve të Kosovës”, shkruan Express.
Azemi ka shtuar se LDK e ka thënë qysh në fillim se ligji cenon lirinë ekonomike të tregut, por thotë se pushteti nuk dëgjoi deh ecën drejt shkeljes së Kushtetutës për të disatën herë.
Ai ka thënë se Qeveria e Kurtit po mbetet në historinë e Kosovës si pushteti që po qëndron me këmbë mbi Kushtetutë dhe thotë se “një pushtet i tillë duhet të bie”.
Reagimi i plotë:
Gjykata Kushtetuese ia rrëzoi këtij pushteti edhe Ligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg. Krejt kjo pas ankesës së LDK-së, e cila mbetet gardiane e Kushtetutës dhe themeleve të kësaj Republike.
E kemi thënë qysh në fillim se ky ligj cënon liritë ekonomike dhe të tregut. Këtë nuk e pranonin dhe vijuan ta shkelin për të satën herë Kushtetutën. Dhe kështu sigurt, Albin Kurti dhe qeveria e tij po ngelet në historinë e Republikë si pushteti që po qëndron shumicën e kohës me këmbë mbi aktin më të lartë juridik të shtetit. Ky pushtet anti-kushtetues duhet të bie.