Agjencia ndërkombëtare e lajmeve “Reuters” raporton se trupat ushtarake britanike po patrullojnë me vigjilencë të shtuar në kufirin Kosovë-Serbi për të parandaluar futjen e armëve ilegale në Kosovë.
Ky patrullim vjen për shkak të shqetësimeve të shtuara se dy fqinjët mund të futen përsëri në një konflikt të hapur, pasi diçka e ngjashme ndodhi në shtator të këtij viti kur grupe kriminale të armatosura vranë një polic të Kosovës në Banjskë.
NATO pas këtyre ngjarjeve dërgoi trupa shtesë nga Britania e Madhe dhe Rumania.
NATO ka dërguar 1,000 trupa shtesë në Kosovë, duke e çuar praninë e saj në 4,500 paqeruajtës nga 27 vende të ndryshme.
Reuters raporton se tani “ushtarët britanikë po vendosen në turne 18-orëshe për t’u siguruar që asnjë armë apo grup i armatosur të mos hyjë në Kosovë”.
“Aktualisht jemi këtu në një patrullë rutinore, e cila ka për qëllim të kuptojmë mënyrën e jetesës në këtë vend, pastaj marrim informatat e nevojshme për çdo aktivitet të paligjshëm ose të dyshimtë që më pas i raportohet KFOR-it (misioni i NATO-s) dhe strukturave tjera më të larta,” tha për Reuters nga kufiri me Serbinë togeri Joss Gaddie nga ushtria britanike.
Agjencia ndërkombëtare e lajmeve raporton se serbët lokal shpeshherë janë përleshur me organet e sigurisë që veprojnë në Kosovë, përfshirë Policinë e Kosovës dhe forcat paqeruajtëse ndërkombëtare.
Ata refuzojnë të njohin autoritetin e institucioneve të Kosovës dhe madje refuzojnë edhe regjistrimin e veturave me tabela legale.
Qeveria e kryeministrit Albin Kurti ka vendosur një afat përfundimtar më 1 dhjetor për rreth 10,000 automjete me targa ilegale që të kalojnë në tabela ilegale ose do të përballen me dënime të rënda.
Një kërkesë e ngjashme shkaktoi dhunë vitin e kaluar.