Carlo Ancelotti nuk është i surprizuar pasi Napoli punësoi ‘mikun’ e tij Walter Mazzarri për të zëvendësuar Rudi Garcian.
Napoli do të udhëtojë në Spanjë për t’u përballur me Real Madridin në kuadër të Ligës së Kampionëve nesër (e mërkurë), katër ditë pas fitores në udhëtim ndaj Atalantas me rezultat 2-1, në atë që ishte ‘debutimi i dytë’ i Mazzarrit në stolin e napolitanëve
Ancelotti fitoi takimin e parë në Itali muajin e kaluar, duke mposhtur ekipin e Garcias me rezultat 3-2 në “Stadio Maradona”.
Tekniku italian foli për rikthimin e Mazzarit në konferencën për shtyp para ndeshjes të martën.
“Nuk jam i surprizuar. Ai është një trajner që ka eksperiencë, një mik i imi i mirë dhe mendoj se një trajner i ri gjithmonë sjell motivim të ri tek lojtarët”, ka thënë Ancelotti
Gjigantët e La Ligas do të futen në këtë ndeshje me një sërë mungesash duke filluar nga Courtois, Kepa, Militao, Tchouameni, Camavinga, Modric, Guler dhe Vinicius, por Ancelotti, është fokusuar diku tjetër
“Të flasësh për problemet që kemi dhe lëndimet duket si një mungesë respekti për këta që do të luajnë dhe që janë duke bërë mirë”, u shpreh ai.
“Ata janë duke kontribuar në një mënyrë që nuk e prisja. Nëse ne jemi në gjendje të mbajmë ritmin me këto probleme do të thotë që skuadra është shumë e mirë”.
Jude Bellingham është i gatshëm për lojë dhe do të jetë rreziku kryesor për Napolin, veçanërisht pasi me paraqitjen e tij në Itali u shpall ‘Lojtari i Ndeshjes’, duke kontribuar në fitoren e madrilenëve me një gol
“Lojtarët anglezë ndonjëherë kanë vështirësi për t’u adaptuar me futbollin spanjoll. Bellingham është fantastik dhe i pjekur që adaptohet në çdo shtet të botës”, përfundoi Ancelotti.