Çka thanë raportuesit e KiE për sistemin gjyqësor, prokurorial, Policinë e luftën kundër korrupsionit në Kosovë?

by Nexhat

Raportuesit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës kanë kërkuar zbatimin e vendimit të Kushtetueses për Manastirin e Decanit, reforma për të përmirësuar efikasitetin e sistemit gjyqësor, derisa konsiderojnë se ka pasur “njëfarë progresi” në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mirëpo kanë shtuar se duhet të vazhdojnë përpjekjet për të luftuar ato. Ndërsa, në fund thuhet se autoritetet e Kosovës duhet të përmbahen nga përdorimi i forcave speciale policore për të kryer detyrat e zakonshme policore dhe të sigurojnë që forcat speciale të policisë të vendosen vetëm kur është e nevojshme, në koordinim me EULEX-in dhe KFOR-in. Ndërkaq, dorëheqjet e serbëve nga institucionet e Kosovës, është një pikë tjetër për të cilën flitet në këtë raport.

Është bërë publik raporti i raportuesve për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Në pjesën e katërt të raportit flitet për sundimin e ligjit, e cila përfshin Gjykatën Kushtetuese, gjykatat tjera, prokuroritë, krimet e luftës, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe policinë.

banner

Për Gjykatën Kushtetuese, raportuesit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, thonë se është aktive dhe se “nuk i trembet marrjes së vendimeve me ndikim të gjerë edhe nëse këto bien ndesh me dëshirat e organeve politike të shteti”.

Aty përmendet rasti i dorëheqjes së Fatmir Sejdiut, që pat dhënë dorëheqje në vitin 2010 pasi nuk mund ta mbante postin e kryetarit të LDK’së dhe të presidentit në të njëjtën kohë.

“Gjykata i referohet rregullisht praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe duket se gëzon besim të përgjithshëm duke përfshirë edhe brenda komuniteteve joshumicë. Rreth 10% e rasteve janë sjellë në Gjykatë nga persona që i përkasin komuniteteve joshumicë. Në vitin 2010, Gjykata vendosi, me kërkesë të Zëvendës Kryesuesit të Kuvendit Komunal për Komunitete të Prizrenit, se stema e komunës ishte jokushtetuese pasi që ishte e lidhur me trashëgiminë dhe traditën e komunitetit shumicë dhe nuk pasqyronte multi- natyra etnike e popullsisë[42]. Ky aktgjykim u vlerësua si vendim historik si nga përfaqësuesit politikë të komuniteteve shumicë dhe joshumicë.

Raportuesit kanë thënë se Kosova duhet ta zbatojnë pa vonesë aktgjykimin e Kushtetueses për rastin e Manastirit të Decanit.

“Ndërsa Gjykata luan një rol të rëndësishëm si gardian i Kushtetutës, në një rast politikisht të ndjeshëm, autoritetet deri më tani nuk kanë zbatuar një vendim të Gjykatës që daton nga viti 2016. Gjykata vendosi se 24 hektarë tokë kontestuese i takojnë Manastirit të Deçanit. Ky aktgjykim u kritikua nga politikanët dhe, pavarësisht apeleve të vazhdueshme nga Komuniteti Ndërkombëtar, nuk u zbatua. Kjo është një shkelje e qartë e shtetit ligjor. Autoritetet e Kosovës duhet të zbatojnë pa vonesa të mëtejshme aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për rastin Visoki Deçani.”

Ndërsa, sa i përket gjykatave tjera thuhet se tregojnë pavarësi, derisa përmendet vendimi i Gjykatës Komerciale për Klan Kosovën.

“Në gusht të vitit 2023, gjykata kompetente ka miratuar një masë ndaluese kundër vendimit të një Ministrie për revokimin e licencës së biznesit të një ndërmarrjeje të rëndësishme mediatike, Klan Kosova.”

Poashtu përmendet edhe se aktgjykimi i Kushtetueses për Manastirin e Decanit u kritikuar ashpër nga bartësit e funksioneve të larta politike dhe rastin kur kryeministri Kurti deklaroi se ishte kurioz të dinte emrin e prokurorit që bëri kërkesën dhe të gjyqtarit që miratoi vendimin për lirimin e një serbi nga burgu në arrest shtëpiak.

Në raport thuhet se është e qartë se ka nevojë për reforma të mëtejshme për të përmirësuar efikasitetin e sistemit gjyqësor dhe për të shmangur vonesat e tepërta.

“Raportet e Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit, EULEX tregojnë se tashmë është arritur njëfarë progresi, jo më pak falë veprimit të Këshillit Gjyqësor nën udhëheqjen e tij aktuale, dhe se numri i seancave joproduktive është zvogëluar.[47] Por ky progres nuk është i mjaftueshëm dhe një numër çështjesh të profilit të lartë kanë mbetur të bllokuara prej vitesh. Ende ka shumë seanca joproduktive dhe rastet shpesh kthehen për rigjykim në gjykatat themelore nga gjykatat më të larta. Përpjekjet për reforma duhet të vazhdojnë dhe Këshilli i Evropës mund të ofrojë ndihmë të vlefshme në këtë drejtim.”

Raportuesit thonë se autoritetet e Kosovës duhet të respektojnë plotësisht pavarësinë e gjyqësorit, duke përfshirë edhe përmbajtjen nga kritikat e panevojshme që minojnë besimin në gjyqësor; dhe të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të reformuar gjyqësorin në bashkëpunim me Këshillin e Evropës dhe duke respektuar plotësisht standardet e Këshillit të Evropës.

Ndërsa, raportuesit e kanë parë për fat të keq dorëheqjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve, derisa e mirëpresin vendimin e Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial që të mos i pranojnë zyrtarisht këto dorëheqje.

“Megjithatë, mbetet e domosdoshme që gjyqtarët dhe prokurorët serbë të Kosovës të kthehen në pozitat e tyre sa më shpejt të jetë e mundur.”

Raportuesit thonë që autoritetet e Kosovës duhet të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të siguruar që kërkesat pronësore nga refugjatët dhe “IDP” të gjykohen brenda një kohe të arsyeshme.

Sipas tyre, problemet brenda shërbimit të prokurorisë duken të ngjashme me problemet brenda gjyqësorit dhe shtojnë se prokurorët kritikohen ashpër nga politikanë në poste të larta.

Ata përmendën edhe cështjen e kryeprokurorit të shtetit.

 “Sipas Kushtetutës (neni 109.1) Kryeprokurorin e Shtetit e emëron Presidenti me propozimin e Këshillit Prokurorial. Këshilli Prokurorial propozoi një kandidat për këtë post në prill 2022, por Presidenti nuk ka marrë ende një vendim pozitiv apo negativ për emërimin. Ndërkohë që një çështje gjyqësore e ngritur nga një kandidat tjetër është në pritje, kjo çështje nuk ka efekt pezullues dhe një vonesë kaq e gjatë nuk është e favorshme për funksionimin e duhur të shërbimit.”

Më poshtë flitet për krimet e luftës, ku thuhet se Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut ka theksuar në raportin e saj për Kosovën se ka mangësi serioze në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë.

“Aktualisht të gjitha krimet e luftës gjykohen duke zbatuar ligjin e Kosovës. Megjithatë, një numër rastesh veçanërisht të ndjeshme që përfshijnë politikanë kryesorë gjykohen nga Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe një zyrë e Prokurorit të Specializuar të vendosur në Hagë dhe me staf ndërkombëtar. Këto institucione janë veçanërisht përgjegjëse për krimet e supozuara të kryera ndërmjet 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000 në lidhje me pretendimet në raportin e Dik Martit të APKE-së.[54] Themelimi i këtyre institucioneve u mundësua me amendamentet kushtetuese të miratuara nga Kuvendi i Kosovës në gusht të vitit 2015. Personat e parë të paditur, përfshirë një ish-president të Kosovës, u arrestuan dhe u transferuan në Hagë në gjysmën e dytë të vitit 2020.”

Poashtu thuhet se Kosova ka një njësi të prokurorisë speciale, e cila është përgjegjëse për ndjekjen penale të krimeve të luftës të cilat nuk janë marrë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.  Sipas raportuesve, janë paditur kryesisht serbë të dyshuar për krime lufte, por edhe shqiptarë të Kosovës.

“Aktivitetet e saj pengohen nga mungesa e bashkëpunimit me autoritetet e Serbisë. Një ndryshim në Kodin e Procedurës Penale i korrikut 2022 prezanton mundësinë e gjykimeve në mungesë kryesisht për çështje të tilla.”

Raportuesit kanë vlerësuar se është arritur njëfarë progresi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Pozita e Kosovës në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International është përmirësuar nga vendi i 104-të në vendin e 84-të, por mbetet i pakënaqshëm. Numri i rasteve përkatëse gjyqësore mbetet relativisht i ulët, dhe rastet e korrupsionit të profilit të lartë shpesh kthehen për rigjykim në gjykatën themelore nga Gjykata e Apelit.[58] Hetimet e krimit të organizuar mbeten të pambrojtura ndaj korrupsionit dhe ndërhyrjeve të paligjshme.[59] Ekziston një nevojë e qartë për të forcuar më tej institucionet dhe organet e ndryshme që luftojnë korrupsionin, duke përfshirë edhe burimet shtesë.”

Ata thonë se autoritetet e Kosovës duhet të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe të sigurojnë zbatimin e duhur të legjislacionit të ri në këtë fushë.

Sa i përket policisë, raportuesit thonë se “pas marrëveshjes së parë të Brukselit të vitit 2013 ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në dialogun e ndërmjetësuar nga BE, integrimi i policëve serbë në policinë e Kosovës kishte qenë mjaft i suksesshëm dhe, deri në dorëheqjen e rreth 400 policëve serbë të Kosovës në fund të vitit 2022, përbërja e policisë në përgjithësi pasqyronte mjaft mirë përbërjen e popullsisë”.

Ata vlerësojnë se është shumë e dëshirueshme që një numër i mjaftueshëm i policëve serbë të Kosovës të kthehen ose të rekrutohen në shërbim. “Disa bashkëbisedues na thanë se dorëheqjet në shumë raste nuk ishin vullnetare, por për shkak të presionit ndaj policëve dhe se një presion i tillë e bënte të vështirë nëse jo të pamundur rekrutimet e reja të policëve serbë.”

Integrimi i komuniteteve joshumië, në veçanti i policëve serbë, sipas raportuesve ishte i suksesshëm në policinë e përgjithshme, por jo edhe në njësitë speciale të policisë.

“Këto njësi priren të përbëhen nga policë shqiptarë, por edhe vetëm shqipfolës, ata janë të armatosur rëndë dhe kanë veshje mbrojtëse. Prania e tyre pra perceptohet si frikësuese nga popullata lokale, veçanërisht në veri.”

Më tutje, thuhet se pas dorëheqjes së policëve serbë, ka pasur një tendencë të shtuar për vendosjen e njësive speciale të policisë në veri.

“Ndërsa Ministria e Brendshme pohon se njësitë e tilla dërgohen në bazë të një vlerësimi të saktë të kërcënimit, të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë pajtohen se prania e tyre është bërë e tepruar dhe çon në tensione me popullsinë në veri. Kjo nuk do të thotë se një prani e tillë nuk mund të justifikohet kurrë. Në rastin e sulmeve nga grupet e armatosura, siç ishte rasti më 24 shtator 2023, padyshim që njësi të tilla duhet të përdoren. Autoritetet e Kosovës ranë dakord, në një takim me Përfaqësuesin Special të BE-së, Lajčák në Bratislavë në korrik, që prania e forcave speciale të policisë në veri duhet të reduktohet dhe prania e tyre të bazohet në një vlerësim të përbashkët të kërcënimit me KFOR-in dhe EULEX-in. Megjithatë, kjo marrëveshje nuk ka qenë e mjaftueshme për të zbutur tensionet.”

Në fund thuhet se autoritetet e Kosovës duhet të përmbahen nga përdorimi i forcave speciale policore për të kryer detyrat e zakonshme policore dhe të sigurojnë që forcat speciale të policisë të vendosen vetëm kur është e nevojshme, në koordinim me EULEX-in dhe KFOR-in

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy