Kriza buxhetore në Gjermani, Scholz flet për realitet të ri pas vendimit të Kushtetueses

by Nexhat

Kancelari gjerman Olaf Scholz foli para deputetëve në Bundestag për krizën buxhetore të qeverisë së koalicionit të tij. Ministrat duhet të mbushin një boshllëk në financat e shtetit pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Borxhi i financave publike u shfaq pasi Gjykata Kushtetuese vendosi në fillim të këtij muaji se fondet e papërdorura të pandemisë nuk mund të rialokoheshin për projektet e klimës dhe industrisë së gjelbër.

banner

Gjykata tha se shteti nuk mund të ridrejtonte kreditë emergjente nga rezerva për projekte të veçanta pas pandemisë, sepse kjo nuk plotësonte kërkesat kushtetuese për kreditë emergjente – duke shkaktuar një boshllëk në buxhetin e qeverisë.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të ketë pasoja

Scholz tha se vendimi do të ketë pasoja në nivele të ndryshme të qeverisjes në Gjermani që tani e tutje.

“Ky vendim krijon një realitet të ri, për qeverinë federale dhe për të gjitha qeveritë aktuale dhe të ardhshme, federale dhe shtetërore. Një realitet që, megjithatë, e bën më të vështirë arritjen e objektivave të rëndësishëm që mbështeten gjerësisht në vendin tonë.”

Kancelari pranoi se qeveria e tij do të kishte marrë vendime të ndryshme nëse ky realitet i ri do të ishte i qartë kur ai mori pushtetin dy vjet më parë.

“Duke ditur vendimin aktual, ne do të kishim marrë rrugë të ndryshme në dimrin e vitit 2021”, tha ai.

Në përfundim të fjalës së tij, Scholz tha se do të ecë përpara “me qetësinë e nevojshme dhe me përgjegjësinë për vendin tonë. Kjo është ajo që mbroj unë si kancelar”.

Lideri i opozitës Friedrich Merz, nga kristiandemokratët konservatorë që e paditën qeverinë në Gjykatën Kushtetuese, tha se kërkesa ishte e justifikuar. Sipas tij, planet e koalicionit për rialokimin e borxhit kishin qenë të gabuara që në fillim.

“Ky ishte një proces gjyqësor që ishte bërë i domosdoshëm kundër…manipulimit të Kushtetutës sonë, që ishte shkruar tashmë në marrëveshjen tuaj të koalicionit”. Merz-i premtoi ta “mbajë një sy” nga qeveria, duke thënë se deputetët e tij do të vazhdojnë ta detyrojnë koalicionin të respektojë kushtetutën.

Të hënën, koalicioni qeverisës trepartiak i qeverisë gjermane tha se do të zgjasë përkohësisht heqjen e kufizimeve të huamarrjes të parashikuara me kushtetutë si pjesë e një buxheti shtesë.

Plani përfshinte një kredi prej rreth 45 miliardë eurosh për të mbuluar fondet e shpenzuara tashmë në 2023. Buxheti duhet të miratohet ende nga Bundestagu.

Rishikimi i buxhetit bëhet i nevojshëm

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, me qendër në Karlsruhe, në fakt kishte vënë veton ndaj planeve të qeverisë për të kanalizuar 60 miliardë euro të huazuara për një fond kundër pandemisë në Fondin e Klimës dhe Transformimit (KTF).

Hendeku financiar paraqet një nga sfidat më të mëdha deri sot për koalicionin e përbërë nga socialdemokratët e qendrës së majtë të Scholz-it, Partia e Gjelbër ambientaliste dhe Demokratët e Lirë të fokusuar te biznesi.

Pritej tashmë që Gjermania do ta pezullonte frenën e borxhit për të katërtin vit radhazi në buxhetin shtesë të vitit 2023.

Frena e borxhit është pjesë e Kushtetutës gjermane dhe kufizon borxhin neto strukturor të qeverisë federale në 0.35% të prodhimit të brendshëm bruto. Ajo u miratua për herë të parë në vitin 2009, pas krizës financiare.

Frena u pezullua nga viti 2020 në 2022 gjatë pandemisë së Covid-19 dhe krizës energjetike, por ishte planifikuar të rikthehej në fuqi këtë vit.

Ministri i Financave, Christian Lindner tha javën e kaluar se do ta shpallte vitin 2023 një vit emergjence në mënyrë që planet ekzistuese të shpenzimeve të kenë një “bazë të fortë kushtetuese”.

Vendimi i gjykatës ka vënë në dyshim edhe buxhetin e qeverisë për vitin 2024, për të cilin Scholz premtoi të premten gjithashtu se do të finalizohej deri në fund të këtij viti./DW/

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy