Përdorimi pa kriter i antibiotikëve është një ndër kërcënimet kryesore të shëndetit publik. Organizatat Botërore e Shëndetësisë ngre alarmin për konsumimin e antibiotikëve pa recetë dhe vdekjet e larta që po shkakton rezistenca antimikrobike në Europë dhe mbarë botën.
Pas një anketimi të kryer në 14 vende të Europës, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor, OBSH konstatoi se një e treta e popullsisë së rajonit përdor antibiotikë pa recetë mjekësore. Arsyet e marrjes së antibiotikëve ishin ftohjet, simptomat e ngjashme me gripin, dhimbje fyti dhe kollë.
Por ekspertët e OBSH theksojnë se pa vizitën dhe ekspertizën e mjekut nuk mund të merren medikamente dhe aq më tepër kur bëhet fjale për viroza ku antibiotikët nuk bëjnë efekt.
“Arsyet e përmendura për marrjen e antibiotikëve përfshinin ftohjet (24%), simptoma të ngjashme me gripin (16%), dhimbje të fytit (21%) dhe kollë (18%). Këto krijojnë arsye për shqetësim, sepse këto simptomash shpesh shkaktohen nga viruse kundër të cilave antibiotikët nuk bëjnë. Ekspertiza mjekësore është thelbësore për të bërë një diagnozë të saktë e për të përcaktuar nëse antibiotikët janë rruga e duhur e trajtimit”.
Drejtues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë i bëjnë thirrje shteteve të ndërmarrin politika për ndërgjegjësimin dhe edukimin e popullatës për mos marrjen e medikamenteve pa kriter. Gjithashtu të mos lejohet shitja e antibiotikëve pa recetë.