Një aplikacion ndihmon në menaxhimin e sulmeve të migrenës dhe sugjeron shumë opsione të dobishme trajtimi, duke ndihmuar ata që nuk mund të gjejnë një ilaç efektiv dhe të besueshëm: një studim i ri që mblodhi të dhëna nga pothuajse 300 mijë njerëz, tregon se aplikacioni mund t’i ndihmojë njerëzit të marrin vendime për ilaçet.
I kryer në klinikën Mayo në Rochester, Minesota, studimi zbuloi se disa ilaçe kundër migrenës, si triptanët, ergota dhe antiemetikët, mund të jenë dy deri në pesë herë më efektive se ibuprofeni (një qetësues i zakonshëm kundër dhimbjeve).
Studimi është publikuar në revistën Neurology.
“Ka shumë opsione trajtimi në dispozicion, megjithatë mungojnë krahasimet e drejtpërdrejta të efikasitetit,” thotë autori i studimit Chia-Chun Chiang.
Studiuesit morën parasysh më shumë se 3 milionë sulme migrene të raportuara nga afro 300,000 përdorues të aplikacionit të smartfonëve gjatë një periudhe gjashtëvjeçare.
Aplikacioni i lejon përdoruesit të monitorojnë shpeshtësinë e sulmeve të migrenës, shkaktarët, simptomat dhe efektivitetin e ilaçeve. Pjesëmarrësit futën informacione për gjithsej 4.7 milionë përpjekje për trajtim me ilaçe të ndryshme në aplikacion. Ata regjistruan nëse një ilaç kishte qenë apo jo i dobishëm.
Studiuesit më pas përdorën këtë informacion për të llogaritur efektivitetin e secilit ilaç në krahasim me ibuprofenin, një anëtar i familjes NSAID.
Studiuesit ekzaminuan gjithsej 25 barna nga shtatë klasa.
Në këtë analizë u kombinuan doza dhe formulime të ndryshme të çdo bari.
Studimi zbuloi se tre klasat e barnave më efektive në krahasim me ibuprofenin ishin triptanët, ergotikët dhe antiemetikët. Triptanët ishin pesë herë më efektivë se ibuprofeni, ergotikët ishin tre herë më efektivë dhe antiemetikët ishin dy herë e gjysmë më efektivë.
Në analizën e barnave individuale, tre të parat ishin eletriptani, i cili ishte gjashtë herë më efektiv se ibuprofeni, zolmitriptan, i cili ishte pesë herë më efektiv dhe sumatriptani, i cili ishte pesë herë më efektiv.
Studiuesit zbuluan se eletriptani u gjet i dobishëm në 78% të rasteve; zolmitriptan 74% të rasteve dhe sumatriptan 72% të rasteve. Ibuprofeni ishte i dobishëm në 42% të rasteve. “Shpresa jonë është që ky studim të tregojë se ka shumë alternativa që funksionojnë për migrenën”, përfundon Chiang./Informim/