Përzgjedhësi Sylvinho, ka dhënë një intervistë për FIFA-n, ku ka folur për edicionin fantastik që zhvilloi Shqipëria në kualifikueset e “EURO 2024”.
Kuqezinjtë u kurorëzua me kualifikimin në finalet e “Gjermani 2024” dhe vendin e parë në Grupin E.
Tekniku brazilian ka folur për objektivat e së ardhmes duke thënë se synimi kryesor është që Shqipëria të mësohet të luajë rregullisht në Evropian dhe në kualifikueset e radhës të kualifikohet në Botëror.
Sylvinho vlerësoi edhe punën e madhe të bërë nga lojtarët, duke thënë se përkushtimi në punë është çelësi i suksesit.
Objektivat e së ardhmes– “Objektivi kryesor në afat të gjatë, pas gjashtë muajsh është që të zhvillojmë një turne të denjë. Objektivi i dytë është ta çojmë përpara planin tonë, ta kthejmë në traditë Europianin dhe të kualifikohemi në Kupën e Botës, diçka që Shqipëria nuk e ka arritur kurrë. Imagjinoni sikur të kemi një Europian të shkëlqyer vitin e ardhshëm dhe të arrijmë në çerekfinale. Do të ishte e mahnitshme, por nuk do të thoshte shumë nëse nuk do ta ndiqnim këtë sukses dhe nuk do të vazhdonim zhvillimin tonë. Ne duam të bëjmë progres në dy drejtime: të kemi një turne të denjë në “Euro 2024” dhe më pas të kemi mbështetjen e vendit, FSHF-së dhe lojtarëve në mënyrë që të bëjmë mirë edhe në kualifikueset e Kupës së Botës dhe të luajmë rregullisht në këto kompeticione
Ëndrra për kualifikimin në Botëror – Ëndrra është aty, nuk ka dyshim për të. Kjo varet vetëm nga mbështetja që marrim për punën që bëjmë, nga vendi, Federata, stafi teknik dhe grupi i madh i lojtarëve që po monitorojmë. Të gjitha së bashku rrisin shanset që Shqipëria një ditë të luajë rregullisht në Botëror dhe në Evropian.
Maroku si shembull për Shqipërinë – Natyrisht, ne nuk do të ‘çmendemi’ duke studiuar se çfarë bëjnë Anglia, Spanja, Franca, Gjermania apo Portugalia, sepse ata gjithmonë janë pretendentë. Ne po shikojmë skuadrat që mund t’i imitojmë dhe, po, ka shumë kuptim, Maroku është një pikë referimi për ne.
Një nga mbrojtjet më të mira në kualifikueset e Evropianit – “Gjithçka ka të bëjë me angazhimin në stërvitje. Ka më shumë se 10 vjet që skuadrat po mbrohen me 10 lojtarë. Mbrojtja më e mirë është vetë sistemi. Mund të kesh tre qendërmbrojtës fantastikë dhe portierin më të mirë në botë, por nëse nuk ke përkushtim në punë, atëherë do të pësosh gola. Askush nuk mbrohet me katër ose pesë kundër pesë ose gjashtë. Sulmuesit janë më të shpejtë, më kreativë dhe më inteligjentë në zonën e sulmit dhe gjithçka ka të bëjë me përkushtimin në punë