I dyshuari Besart Istrefi ka mohuar përfshirjen e tij në rastin e grabitjes të ndodhur më 22 nëntor të argjendarisë në Suharekë. Ai ka thënë se ditën kritike ka qenë në banesë.
Istrefi të premten në Gjykatën e Prizrenit ka kundërshtuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit dhe ka kërkuar nga Gjykata që t’i caktojë ndonjë masë më të lehtë si arrestin shtëpiak.
“Unë kam qenë në burg për 7 vjet për një vepër të rëndë si vrasje të dyfishtë. Sipas dispozitave të procedurës penale (ligjit) kjo vepër penale ka dal të të jetë kryer në mbrojtje të nevojshme. Për këtë unë kam qenë në burg për 7 vjet dhe në fund kam dalë i pafajshëm dhe jam liruar për këtë vepër nga Gjykata e Prishtinës dhe e Apelit”, theksoi i dyshuari Besart Istrefi.
Istrefi shtoi se në atë kohë ka qenë edhe në arrest shtëpiak për çka e ka zbatuar me përpikëri këtë masë.
“Kam qenë në arrest shtëpiak për 1 vjet e 8 muaj dhe kurrë nuk kam tentuar të ikë. Prandaj, nëse më caktohet arresti shtëpiak do ta rrespeketoj këtë masë. Jam familjar baba i dy fëmijëve kështu që jam i obliguar që të punojë për ekzistencën e tyre. Më datë 22 nëntor unë kam qenë në banesë dhe për këtë i kam dy dëshmitarë – të rritur dhe fëmijë”, pohoi i dyshuari Besart Istrefi.
Katër të dyshuar Bujar Basha, Leotrin Cakolli, Besart Istrefi dhe Trim Baraku janë arrestuar dje lidhur me rastin e grabitjes së një argjendarie në Suharekë.
Të premten Gjykata e Prizrenit me kërkesë të Prokurorisë ka caktuar një muaj paraburgim për katër të pandehurit e lartcekur.
Më 22 nëntor 2023, ka ndodhur një plaçkitje e armatosur në një argjendari në Suharekës. Në tentativën për ta parandaluar plaçkitjen, është plagosur një polic.
Për zbulimin e autorëve të grabitjes Policia zhvilloi dje një aksion në tri lokacione, si në: Prishtinën, Fushë Kosovën e Carralevë.
Nga ky aksion policor, një polic mbeti i lënduar, e që gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetë, përderisa njëri nga të dyshuarit u neutralizua gjatë zhvillimit të aksionit policor, ndërsa disa të dyshuar u arrestuan.
Sipas Prokurorisë të pandehurit Bujar Basha, Leotrin Cakolli, Besart Istrefi dhe Trim Baraku më datë 22 nëntor, në ora 15:45 min në qytetin e Suharekës, saktësisht në lokalin Argjendaria “Diakos 2“, me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër duke vepruar si anëtarë të grupit të armatosur, përvetësojnë pasurinë e luajtshme të personave tjerë – të dëmtuarve T.B., dhe A.B:, me qëllim që t’i sjellin vetes dhe anëtarëve tjerë të grupit dobi pasurore të kundërligjshme.
Sipas Prokurorisë në atë mënyrë që të pandehurit Bujar Basha, Leotrin Cakolli, Besart Istrefi, Trim Baraku dhe Korab Gashi që të gjithë të maskuar, të veshur me rroba të zeza dhe me doreza në duar, të gjithë të pajisur me armë frontale të gjata, njëri prej tyre me armë të gjatë në duar kryen rolin e rojës ndërsa të tjerët futen brenda në argjendari dhe nën kërcënimin e armëve marrin peng pronarin e lokalit të cilin e lidhin me lidhëse plastike për të neutralizuar rezistencën e tij dhe pastaj fillojnë me grabitjen e arit duke demoluar vitrinat dhe xhamat, ku edhe arrijnë të marrin ari duke shkaktuar humbje në shkallë të madhe.
Tutje thuhet se ashtu të maskuar dhe me armë të gjata në duar, me veturën e markës “Chevrolet Cruze” ngjyrë hiri me targa ……., largohen në drejtim të rrugës “Avdyl Rama” për të vazhduar nga fshati Sopijë e në drejtim të fshatit Budakovë, që lidhet me fshatin Jezercë të Ferizajt, nga ku edhe bëhen të pa arritshëm, ndërsa me datë 30 nëntor 2023, të pandehurit Bujar Basha, Besart Istrefi dhe Leutrim Cakolli arrestohen nga Policia.
I pandehuri, Trim Baraku më datë 30 nëntor,2023 në Prishtinë, pikërisht në shtëpinë familjare të të pandehurit gjatë bastisjes së shtëpisë nga ana e Policisë, me urdhër së procedurës paraprake Policia ka gjetur një (1) revole Zorki, ngjyrë e zezë modeli M-906-T 9mm, dhe një fishek kalibri 7.62 X 39mm dhe gjashtë fishekë të kalibrit 7.6mm dhe BS end B, të cilën i pandehuri e ka mbajtur në pronësi dhe në posedim, në kundërshtim me Ligjin për armët. /Kallxo.com/