Muhamet Hamiti nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se deklarata e ministrit Liburn Aliu se “Kosova është shtet i përkohshëm”, duke iu referuar aspiratës për bashkim me Shqipërinë, është në përputhje me politikën që ndjek shefi i partisë së Aliut, kryeministri Albin Kurti.
Sipas Hamitit, Kurti nuk e shkarkon nga posti i ministrit bashkëmendimtarin dhe tha se ky qëndrim është qëndrim edhe i gjithë koalicionit VV-Guxo.
“Vartësi ka bërë deklaratë – “Kosova është shtet i përkohshëm” (sic) – që është në përputhje me politikën e shefit të vet, Albin Kurtit. Prandaj, ky nuk distancohet. Kështu mendon koalicioni qeveritar i #VV-së me guximtarët. Po të mos ishte kështu, do ta kundërshtonte ndokush prej pushtetarëve këtë politikë, qoftë edhe duke dhënë dorëheqje nga Qeveria. Natyrisht, Albin Kurti nuk e shkarkon bashkëmendimtarin e vet. Këta janë përbuzës të shtetit të Kosovës, që u bë me sakrifica të mëdha: me dije, djersë e gjak të njerëzve më të mirë të Kosovës”.
Hamiti i ka quajtur qeveritarë të përkohshëm kryeministrin dhe vartësit e tij.
“Qeveritarët e përkohshëm, Albin Kurti me shokë e shoqe, po e konsumojnë shtetin e Kosovës, në vend se ta konsumonin pushtetin që e morën me propagandë kundër shtetit të Kosovës, në emër të bashkimit me Shqipërinë, që e kuptuan se nuk mund të bëhej mbasi e morën pushtetin. Përbuzësit e shtetit të Kosovës duhet të largohen nga pushteti sa më shpejt. Me votë, sigurisht. Urojmë që në muajt që u kanë mbetur në Qeveri të mos e bëjnë rrush e kumbulla shtetin”