Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, deklaroi se i ka ardhur mirë kur muaj më parë opozita shprehu shqetësimet e saj se Qeveria Kurti nuk ishte plotësisht në sinkronizim me qeverinë e Shteteve të Bashkuara ose me aleatët perëndimorë lidhur me temën e Dialogut.
Prandaj, ambasadori Hovenier shpreson “që duhet të ketë bashkërenditje dhe harmonizim të mirë me Shtetet e Bashkuara”, edhe për draft-statutin e Asociacionit.
Kështu deklaroi ambasadori në një intervistë për T7.
“Më lejoni që së pari të përgjigjem në pyetjen për kritikat. Siç e kam thënë edhe më përpara, jam në dijeni për një varg shqetësimesh që janë ngritur. E dini, kemi simpati të madhe për të gjithë ata që duan të sigurojnë që rendi i mirë funksional i shtetit të Kosovës, një vend i pavarur sovran, të vazhdojë të funksionojë mirë. As ne nuk jemi të interesuar që të jemi pjesë e një procesi që do të vinte në funksion gjëra që prishin funksionimin e rendit të shtetit të Kosovës. Nuk besojmë se ky draft-statut do ta bënte këtë dhe këtë e kemi theksuar vazhdimisht. Dua të theksoj se disa muaj më parë më erdhi shumë mirë kur disa nga liderët dhe partitë opozitare i shprehën në mënyrë shumë publike shqetësimet e tyre se qeveria e kryeministrit Kurti ndoshta nuk ishte plotësisht në sinkronizim me qeverinë e Shteteve të Bashkuara ose me aleatët tanë perëndimorë lidhur me dialogun dhe ata shumë hapur bënë thirrje që qeveria e Kosovës të punojë ngushtë me ne dhe të jetë në një vijë me ne, si dhe të sigurohet që gjërat që ne kërkonim të bëhen pjesë e qëndrimeve të qeverisë. Thjesht dëshiroj të them se shpresoj që vazhdon të jetë kështu”, u shpreh ai.
Ai theksoi se opinoni publik është shumë i interesuar për Asociacionin dhe ka të drejtë të dijë se çfarë po ndodh.
“Ky draft-statut është dorëzuar nga përfaqësuesi special i BE-së dhe përfaqësues shumë të lartë të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara. Pra, shpresoj që ata që janë fokusuar që duhet të ketë bashkërenditje dhe harmonizim të mirë me Shtetet e Bashkuara, ndër të tjera, do ta mbajnë po këtë parim edhe për këtë draft-statut dhe që e mbështesin atë, e mirëpresin atë dhe ndihmojnë në avancimin e tij. Këtë e shpresojmë. Tani, përkitazi me atë se kur do të bëhet publik – e kam të vështirë ta them. Unë nuk jam negociatori. Këtë gjë duhet ta përcaktojë Miroslav Lajçak, por do të vë në pah se nuk është e pazakontë që gjatë negociatave të ndjeshme të mos bëhen publike të gjitha hollësitë e një dokumenti që shqyrtohet në negociata, sepse duhet të merreni me këto gjëra në diskrecion. Dhe ndërsa opinioni publik është shumë i interesuar për këtë çështje dhe ka të drejtën për të kuptuar se çfarë po ndodh, ndonjëherë duhet të ketë pak durim për t’i lënë negociatat të vazhdojnë, sepse ato janë më të frytshme kur negociatorët mund të punojnë në kushte pa pasur nevojë që t’ju përgjigjen çdo ditë mediave apo opinionistëve, të cilët mund t’i kenë ose të mos i kenë të gjitha nuancat apo edhe hollësitë e çështjes që po negociohet”, tha ambasadori.