Për më shumë se një vit, zyrtarët izraelitë kishin në dorë planin për sulmin e paprecedentë që Hamasi ndërmori kundër shtetit hebre më 7 tetor, duke shkaktuar 1200 të vdekur. Megjithatë, ata nuk besuan se skenari ishte realist. Kështu pretendon New York Times, bazuar në një dokument konfidencial. Nuk dihet nëse qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu është informuar për këtë.

Plani i sulmit, rreth dyzet faqe i gjatë dhe i cili qarkullonte në sferat e shërbimeve të informacionit me emrin e koduar “Muri i Jerikos”, nuk specifikonte asnjë datë, por përmbante një seri të tërë elementësh se si të ngopeshin mbrojtja izraelite përpara se të vazhdonte sulmi.
U fol për një lëshim masiv rakete, përdorimin e dronëve për të verbuar kamerat e sigurisë dhe sistemet automatike dhe më pas për luftëtarët gati për të kaluar kufirin në këmbë, me makinë dhe me parashuta.
Të gjitha gjërat në fakt ndodhën dy muaj më parë. Megjithatë, sipas dokumentit të brendshëm izraelit, nuk ishte e mundur të përcaktohej nëse plani i sulmit ishte miratuar plotësisht nga udhëheqësit e Hamasit dhe si mund të përkthehej në realitet.
Më pas, në korrik, një analist paralajmëroi ngjashmëri midis një stërvitjeje ushtarake të kryer nga lëvizja islamike dhe asaj të shkruar në “Murin e Jerikos”.
Megjithatë, një kolonel e kishte hedhur poshtë këtë skenar, duke e gjykuar si “krejt imagjinar”. Në një mënyrë thuajse profetike, analisti u shkroi më pas kolegëve të tij duke thënë se “ne kishim tashmë një përvojë të ngjashme 50 vjet më parë në lidhje me një skenar që dukej imagjinar. Historia mund të përsëritet nëse nuk jemi të kujdesshëm”.
Referenca ishte për Luftën e Yom Kipur në 1973./Informim/