Instituti Demokratik i Kosovës ka mbajtur konferencën “A ka ardhur koha për Ligjin për Lobim?”.
Në këtë konferencë, Raphawl Kergueno nga Transparency International EU, ka folur për praktikat më të mira evropiane të rregullimit të lotimit. Ai ka deklaruar se Ligji për Lobim bazohet në praktikat e BE-së dhe inkurajoi Kosovën që ta adaptojë dhe të nisë zbatimin.
“Është një tryezë dhe nisëm e rëndësishme sepse BE-ja i mirëpret këto nisma. Lobimi është një aktivitet dhe një sistem mjaft i zakonshëm për sistemet demokratike, aty ku populli merr pjesë drejtpërdrejt dhe ky ligj bazohet në nenin e 11-të të Marrëveshjes e Evropës, që thotë duhet të jepen mundësi dhe masa që të njoftohen dhe të shkëmbehen publikisht të gjitha fushat të BE-së, së bashku me ekspertizat e saj”, ka theksuar ai.
Sipas tij, institucionet duhet të kenë dialog të hapur dhe transparent si dhe duhet të ketë rregullore dhe rregulla të qarta dhe të mos ndikohen në aktivitete të tjera.
Kergueno ka theksuar se është krijuar një perceptim që lobimi është negativ, por që nëse shfrytëzohen të gjitha rrugët ligjore ky proces është tejet i rëndësishëm për një shtet.
Sipas tij, grupet e lobimit duhet që të jenë transparente për popullin në mënyrë që të dihet se ku po shkojmë paratë e tyre.
Ai ka theksuare se lobimi si aktivitet është ligjor dhe duhet bërë sa më shumë dhe të praktikohet, sepse “vetëm kështu si Kosovë mund të keni ndikim në BE”.
Kurse, LVV, PDK dhe AAK patën qëndrime të ndryshme për këtë temë.
Partia në pushtet është kundër e dy partitë opozitare kërkojnë që ligji të miratohet sa më shpejt. Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se nga një ligj i tillë kompanitë e fuqishme dhe grupet e interesit mund të bëhen më të fuqishme.
“Kjo çështje është një sfidë shtese sepse duhet ta bëjmë me anë të ligjit dhe grupet që lobojnë poashtu duhet të jenë të ligjshme pra të rregulluara me ligj. Një problem në Kosovë paraqitet rezultati politik shkon tek një grup i caktuar që nënkupto që aty është forca dhe mundësia financiare do shtyjnë përpara ligje dhe lobime në favor të tyre dhe resurset financiare do bëhen problem tek grupet e margjinalizuara. Do krijojnë disbalanc në shoqëri si përfaqësues e shumicës në Kuvend është një problem kompleks dhe në Kuvend janë disa rregulla të cilat duhet ndryshuar”ka theksuar ajo.
Deputetja e PDK-së Blerta Deliu-Kodra, përmendi rastin e angazhimit të Gani Jakupit, si këshilltar në Ministrinë e Punëve të Jashtme për të lobuar për fuqizim ndërkombëtar. Sipas saj, nuk duhet që të punohet vetëm në miratim, por edhe zbatimin e tij.
“Pas 10 viteve është zyrtarizuar Rregullorja e Kuvendit dhe është filluar puna për Kodin e Etikës dhe është një dokument që duhet ende punë për të bërë në të tek çështje e lobimit, duhet të kemi kujdes në mënyrën se si e shfrytëzojmë sepse së fundmi i është dhënë një kontratë me 7 mijë e 500 euro, Gani Jakupit i cili ka marr këtë shumë në emër të lobimit. Ne si opozitë kërkojmë llogaridhënie nga Qeveria se a është duke e bërë ai këtë punë sepse ne nuk kundërshtojmë në parim këtë kontratë, por për rezultatet që kjo kontakte po jep në çështjen e lobimit sepse ato janë para të taksapaguesve dhe që dikush duhet të jap llogari për këtë kontratë dhe çështjen e lobimit”, ka deklaruar ajo
Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, ka thënë se duhet që të ketë konsensus politik në mënyrë që të miratohet ky ligj, ndonëse si parim e përkrahin. Ajo pati kritika për mos transparencën dhe llogaridhënien e Qeverisë.
“Ligji për Lobim duhet të ekzistojë dhe është një praktikë e rëndësishme për një shtet, por në Ligj jo gjithmonë përfshin edhe shumë çështje të cilat duhet të krijohen me Urdhëresa Administrative dhe ndodhe që ndonjëherë Qeveria abuzon më këtë urdhëresa sepse këto urdhëresa gjithmonë duhet të jenë sa më afër me ligjin që del nga Kuvendi”, ka theksuar ajo