Në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës “Dr. Sali Haxhibeqiri” sot kanë dhënë dorëheqje katër punëtorë shëndetësorë me arsyen se nuk kanë mundur të ushtrojnë kompetencat e tyre në mënyrë të pavarur.
Kështu tha një burim për Telegrafin (emër i njohur për redaksinë), i cili po ashtu tregoi se ka shumë ndërhyrje politike edhe nga Ministria e Shëndetësisë.
“Arsyeja e vetme pamundësia për me ushtru konform kompetencave që i kemi në mënyrë të pavarur. D.m.th presione politike tërë kohën…kërkesa e ministrisë është që ne tërë kohën çka do që të bëhet në spital, ne duhet me i pyet ata”, ka thënë një burim për Telegrafin.
Siç mëson Telegrafi këta janë punëtorët shëndetësor që kanë dhënë dorëheqje: drejtori Ekzekutiv, Enver Beqiri, drejtori Shëndetësor, Fatbardh Rexha, drejtoresha Infermierëve, Merita Habibaj dhe drejtoresha Operative, Hajrie Mustafa.
Ndërkaq, Telegrafi ka dërguar pyetje në Ministrin e Shëndetësisë e deri në momentin e publikimit të lajmit ende nuk ka një përgjigje nga ta.
Ndryshe, para një muaji Luljeta Buçinca-Zhubi kishte dhënë dorëheqje nga pozita e drejtoreshës së Spitalit Rajonal të Përgjithshëm në Mitrovicë “Dr. Sali Haxhibeqiri”.
Ajo kishte thënë se përkushtimi në profesionin e saj si infektologe e kishte shtyrë të jepte dorëheqje. /Telegrafi/