Para tri dite, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar një takim me partitë opozitare në lidhje me draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ajo tha se pas dorëzimit të draftit edhe te partitë opozitare do t’i thërrasë ato në takim ditëve më vijim për t’i marrë shqetësimet e tyre sa i përket draftit të dorëzuar nga ndërmjetësit.

Sidoqoftë, partitë opozitare ende s’kanë marrë ftesë nga presidentja Osmani.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, sot tha kurdo që i shkon ftesa nga shefja e shtetit, do t’i përgjigjet.
“Natyrisht se po. Por, këto qëndrimet që po i bëj publike, do t’i bëj edhe në takim. Për LDK-në, ndonëse është ende lexim i imi si kryetari i partisë, ne do të presim Kryesinë për të marrë qëndrimin përfundimtar, por për LDK-në draft-statuti është një autonomi e zgjeruar territoriale me tendencë drejt federalizimit. Dhe këto pikëpamje do t’i bëjmë publike gjithandej”, tha ai.
Draft-statuti i hartuar nga diplomacia perëndimore iu dorëzua Qeverisë së Kosovës, ashtu si edhe asaj të Serbisë, në fund të tetorit.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ka qenë i gatshëm ta nënshkruajë, por që pala serbe s’ka pranuar të hedhë nënshkrim edhe pse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte deklaruar se dokumenti është i pranueshëm për të.
Pozitë dhe opozitë kanë diskutuar në Parlament për draft-statutin e ri të dorëzuar nga ndërmjetësit, por opozitarët ishin ankuar se po diskutojnë për një gjë që s’e kanë parë, derisa Kurti kishte thënë se ka qenë kërkesë strikte e ndërmjetësuesve që drafti të mbahet konfidencial për një kohë.