Interi ka marrë një fitore të madhe ndaj Udineses me rezultat të thellë 4-0, për tu rikthyer në krye të Serie A.
Neroazzurët iu përgjigjen fitores së Juventusit dhe tani kryesojnë të vetëm me 38 pikë, dy më shumë se Zonja e Vjetër
Hakan Calhanoglu, Federico Dimarco, Marcus Thuram dhe Lautaro Martinez ishin realizatorët e golave për Interin në këtë sfidë.
Për Lautaron ishte goli i parë në San Siro pas dy muajsh, pasi kishte shënuar vetëm në ndeshjet që Interi luante në udhëtim dhe goli i fundit para tifozëve vendas ishte më 7 tetor ndaj Bolognës.
“Një gol në San Siro më mungonte shumë dhe provova të shënoja në të gjitha mënyrat. Në momentin e golit fillimishte e humba topin, por më pas e rikuperova dhe shënova. Ishte e rëndësishme të fitonim dhe po ashtu e rëndësishme të shënoja”.
“28 gola në vitin 2023? Jam i lumtur dhe shpresoj që të shënoj më tepër, ia kam dalë të gjejë shumë herë rrugën e rrjetës këtë vit, falë edhe shokëve të skuadrës”, tha Lautaro.
Ai tha se ishte e rëndësishme t’i përgjigjen Juventusit për të rimarrë kreun e tabelës.
“Mua nuk më intereson shumë se kush shënon, e rëndësishme është të fitoj skuadra. Punojmë shumë dhe ndjehet dora e trajnerit në skuadër. Kemi objektivin tonë dhe ishte e rëndësishme t’i përgjigjeshim Juventusit. Kemi hedhur një hap më shumë, duhet të jemi gati sa herë trajneri të ketë nevojë për ne”, tha kapiteni i zikaltërve.