Lëvizja Vetëvendosje e konsideron si të suksesshëm vitin 2023 sa i përket diplomacisë kosovare, ndërsa tri partitë opozitare e kanë quajtur vit të dështimit dhe regresit sa i përket arenës ndërkombëtare. Këto të fundit, kanë hedhur akuza në drejtim të Qeverisë Kurti, teksa kanë kërkuar edhe reforma në kabinetin qeveritar,
PDK, LDK e AAK konsiderojnë se Qeveria Kurti e ka dëmtuar subjektivitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtarë pasi për tri vite nuk u arrit asnjë njohje e as anëtarësim në arenën ndërkombëtare, ndërsa për VV-në kritikat e opozitës janë të parëndësishme.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëresha Kryeziu–Hyseni, nuk i sheh fortë të rëndësishme njohjet e reja por ndërtimin e raporteve të mira me shtetet mosnjohëse.
E sa i përket subjektivitetit ndërkombëtar, Kryeziu–Hyseni ka thënë se nuk ka bërë asnjë Qeveri në të kaluarën më shumë se kjo aktualja. Ndërsa, kritikat e opozitës nuk i bëjnë fortë përshtypje.
“Në fakt kritikat e opozitës për mua personalisht janë të parëndësishme dhe të pabaza sepse po flasim për një opozitë që ka pasur rastin për vite të tëra të dëshmojë sa është e aftë të bëjë dhe të punojë në rritjen subjektivitetit ndërkombëtarë të Kosovës dhe është edhe një gjë që jo secili sukses mund të vlerësohet me pasjen ose jo të njohjeve besoj që është shumë e rëndësishme që Kosova të lëviz në kuptimin ndërkombëtarë duke ndërtuar raporte të mira bilaterale me shtete që nuk na kanë njohur dhe madje duke përforcuar raportet me shtete të cilat na kanë njohur por me të cilat nuk kanë pasur raporte të mëtutjeshme sesa të merret vetëm një njohje dhe të mbetet me kaq. Sa i përket asaj që Kosova ka bërë në aspektin e subjektivitetit ndërkombëtarë mendoj që nuk ka bërë asnjë Qeveri në të kaluarën”, u shpreh deputetja e VV-së, teksa si sukses e sheh aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“Është nisja e aplikimit për tu bërë anëtare e Bashkimit Evropian, pastaj kalimi me sukses i fazës së parë në Këshillin e Evropës gjithashtu Kosova deri më tani është anëtarja me e re e dy organizatave shumë të rëndësishme ndërkombëtare dhe për ta përmbyllur është edhe fakti se raportet ndërkombëtare pra na kanë nxjerrë si shtet që kemi shënuar progres në këtë kohë që do thotë që kemi hapur mundësinë t’i afrohemi edhe shteteve të cilat mund kenë qenë skeptike ose mund të kenë pasur dyshime rreth Kosovës.Janë përforcuar dukshëm raportet bilaterale me shtetet kemi arritur madje edhe të hapim zyra të reja të misioneve diplomatike në vende të ndryshme të botës, ndërkohë që deri tani kemi arritur që edhe të blejmë objekte të misioneve diplomatike përkundër këtyre partive opozitare që sot po kritikojnë që në të kaluarën nënshkruan kontrata për lobim për shkëmbim territorial ne sot po nënshkruajmë kontrata për blerjen e objekteve në të cilat do vendosën përherë misionet diplomatike”, ka deklaruar Kryeziu–Hyseni.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu–Shoshi, ka thënë për Ekonomia Online se Kosova gjendet në një pozitë më të dëmshme përgjatë 20 vjeçarit.
Mosnjohjet e reja e mos anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, janë disa nga kritikat që Musliu–Shoshi i përmend.
“Në arenën ndërkombëtare vlerësoj që nuk kemi qenë ndonjëherë më keq si shtet për shkak se nuk kemi asnjë njohje dhe asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Në fakt nuk kemi as hapa të cilët janë duke u ndërmarrë që të përfundoj ato çfarë e kemi nisur, po flas për anëtarësim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe në Këshill të Evropës sepse i dimë hapat që janë përmes Asamblesë, kështu që vlerësoj që kemi shumë organizata të tjera të cilat kërkojnë hapa konkret që kjo Qeveri duhet t’i ndërmerr në mënyrë që të anëtarësohemi dhe shohim që nuk jemi duke ecur përpara me kushtet që i kërkohen Kosovës si shtet për me tepër vlerësoj që është një dështim që nuk e kemi asnjë njohje nuk kemi as njohjen e pesëshes refuzuese nga Bashkimi Evropian”.
Deputetja e PDK-së ka fajësuar MPJ-në për mos largim të sanksioneve, sidomos pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.
“Përveç që jemi shtet ende nën masa apo sanksione të Bashkimit Evropain që është një marre në vete sepse nuk do duhej të vijmë në pikën që neve si shtet nga Bashkimi Evropian të na vihen masa për më tepër vlerësoj që nuk është bërë punë nga diplomacia jonë që këto masa të tërhiqen posaçërisht pas 24 shtatorit pra pas aktit terrorist të Serbisë mbi Kosovën prandaj mendoj që përderisa ne kemi një ministre për Punë të Jashtme që i urdhëron ambasadorët që të mos kenë asnjë takim me diplomatë të huaj apo përfaqësues të shteteve se ku janë përveç takimet me konsullore me shtetasit tanë, unë e vlerësoj që nuk është rruga e duhur të shpërfaqet e vërteta ose çfarë ka ndodhur në Kosovë”, u shpreh ajo.
Kritike dhe më e ashpër është shprehur deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi. Ajo ka përmendur dështimet e politikës së jashtme, duke akuzuar zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi e kryediplomaten Donika Gërvalla për mosraportim në Komisione.
“Ne para disa ditësh diskutuam për Raportin për vendin që ende në Komision nuk e kemi diskutuar për arsye se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi nuk ka gjet kohë të raportojë por e kemi thirr si opozitë dhe ka ardh në Kuvend dhe kemi parë që ka pasur regres sa i përket Raportin për vendin sepse për tri vjet nuk kemi asnjë njohje, asnjë anëtarësim në Organizata Ndërkombëtare. Kemi vetëm regres dhe ju e dini që jemi përjashtuar nga ‘Defender 23’, ndërsa ministrja e Punëve të Jashtme (Donika Gërvalla) nuk vjen të raportojë edhe përkundër 20 ftesa që i kemi bërë”, ka thënë Krasniqi.
Deputetja e LDK-së ka kërkuar reforma në kabinetin qeveritar, pasi sipas saj dështimet i ndërlidhin me dialogun.
“Është dashur sepse unë mendoj se një reformë e tillë është e domosdoshme sepse asnjëri prej ministrave nuk ka bërë asgjë. I gjithë puna është lidhë për dialogun me mbulu atë mospunën e anëtarëve të kabinetit qeveritar”.
Ndërsa deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, e ka quajtur dështim politikën e jashtme, teksa ka përmendur pagën prej 7 mijë e 500 euro për Gani Jakupin, këshilltarin e angazhuar nga Ministria e Jashtme e Kosovës për lobim.
“Dështim totale e politikës së jashtme, nuk kemi asnjë njohje e asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, degradim i dialogut dhe dëmtim i subjektivitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Po e shohim se Ministria e Punëve të Jashtme jashtëligjshëm po e paguan njerëz si Gani Jakupi 7500 euro për lobim dhe nëse po e paguan me këtë shifër, cili është lobimi, ku po lobon, ku ka qasje Gani Jakupi sepse nga intervistat që dëgjuam nga njerëz që kanë qasje në Bashkimin Evropian dhe ku do të lobojë ai kur nuk ka qasje për të hyrë në ndërtesën e Bashkimit Evropian dhe është dashur ta sjellë ndonjë njohje dhe ta dimë specifikisht se ku është angazhuar dhe cila do të jetë njohja që do ta sjellë Gani Jakupi që padrejtësisht po paguhet 7500 euro nga MPJ-ja”