Emisari sllovak, Miroslav Lajcak, ka njoftuar dje për nënshkrimin e kontratës komerciale mes KEDS-it dhe Elektroseverit për çështjen e energjisë elektrike. Lajçak ka thënë se ky është një hap i rëndësishëm për zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë që është lehtësuar nga BE-ja.
Emisari sllovak konsideroi se është hap i rëndësishëm edhe për rrugën e normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi.
“E mirëpres nënshkrimin e sotëm të kontratës komerciale ndërmjet KEDS-it dhe Elektrosever. Ky është një hap i rëndësishëm në zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë të lehtësuar nga BE dhe në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Urime për të gjithë ata që e bënë të mundur!”, ka shkruar Lajçak.
Ndërkaq, për këtë çështje njoftim ka lëshuar edhe KEDS’i.
“KEDS njofton se është nënshkruar kontrata me Elektrosever, e cila ka për qëllim normalizimin e shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike në komunat Zubin Potok, Leposaviq, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore.
Kjo kontratë përkon me ligjin e Kosovës dhe kornizën rregullative, në përputhje me Marrëveshjet në lidhje me Energjinë të datës 8 shtator 2013 (“Marrëveshjet e Energjisë 2013”) dhe Konkluzionet e Lehtësuesit të BE-së për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë të vitit 2013, të datës 25 gusht 2015 (“ Marrëveshjet për Energjinë të vitit 2015”), si dhe Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve Energjetike të 21 qershorit 2022.
KEDS ka thënë se ky proces i zgjatur ka qenë shumë delikat dhe sfidues për tërë sistemin energjetik në Kosovë, dhe ne jemi të kënaqur që kemi arritur këtë moment historik.
Tani, KEDS-i pret bashkëpunimin me Elektroseverin, i cili do të jetë sukses kyç për shërbimet e shpërndarjes dhe investimeve në komunat e lartpërmendura”, thuhet në njoftim.