Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci sot u prit në takim në Departamentin e Shtetit nga ndihmëssekretari i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien.
Nga Ministria e Mbrojtjes njoftojnë se në këtë takim Maqedonci ritheksoi që Qeveria e Republikës së Kosovës, institucionet dhe i gjithë populli i Kosovës është i vendosur palëkundshëm në rrugën drejt integrimeve euro-atlantike.
Me këtë rast, ai e falënderoi Ndihmëssekreatarin O’Brien për mbështetjen e palëkundur dhe të vazhdueshme të ShBA-së për Republikën e Kosovës, e në veçanti për mbështetjen në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Tutje bëhet e ditur se ata diskutuan për ambientin global të sigurisë dhe impaktin e tij në regjionin e Ballkanit perëndimor, si dhe për nevojën e fuqizimit të përpjekjeve të përbashkëta për t’u përballur me rreziqet dhe kërcënimet.
Nga ana e tij, Ndihmësekretari O’Brien, ritheksoi mbështetjen e ShBA-së për anëtarësimin e Kosovës në Kartën e Adriatikut, Programin e Partneritetit për Paqe dhe NATO.
Të dy bashkëbiseduesit u dakorduan në thellimin e bashkëpunimit dhe të vazhdohet bashkë në ndërtimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, me qëllim të qartë që këto kapacitete të jenë në funksion të rritjes së sigurisë në vend dhe regjion si dhe të jenë të përgatitura që bashkë me parterët të mbështesin paqen kudo në botë.