Mësimi në gjuhën shqipe është kthyer në motiv protestash për banorët e komunës Çashkë, në Maqedoninë e Veriut. Banorët e kësaj zone nuk kanë lejuar zhvillimin normal të mësimit në shkollën fillore “Todor Janev”. Ata kërkojnë shfuqizimin e paraleles shqipe. Ata kanë bllokuar drejtoreshën dhe mësues të shkollës, duke mos i lejuar të futen në godinë.
Ministri i arsimit eshte shprehur se gjendja e krijuar në Çashkë dhe organizimi i protestave kundër mësimit shqip është nxitur nga persona të caktuar nga opozita maqedonase, duke aluduar te deputeti i VMRO-DPMNE-së, Igor Zdravskovski i cili pak ditë më parë personalisht mori pjesë në protesta.
“Ka vende apo qytetet që populli maqedonas, nuk lejon që të ketë mësim në gjuhën shqipe. Janë rreth 70 nxënës shqiptarë në Çashkë që bëjnë mësim këtu. Për herë të parë është krijuar një klasë e parë ku fëmijët do nisin të mësojnë në gjuhën amëtare. Po shqyrtohet mundësia që edhe ata që kanë kaluar në klasën e dytë të mund të kthehen dhe njëherë në klasë të parë dhe të fillojnë mësimin në gjuhën shqipe.
Mësimi i gjuhës amëtare, jo vetëm për shqiptarët por dhe për etni të tjera është i vendosur me ligj, mirëpo jo gjithmonë gjen zbatim. Prindërit maqedonas nuk po i lejojnë të shkojnë në shkollë, aty ku ka shqiptarë. Ministria e arsimit ka bërë me dije se nuk do të lejohet që nxënësve shqiptarë tu mohohet e drejta për të studiuar në gjuhën amëtare, por do të bëjnë të pamundurën që të kthejnë në banka dhe fëmijët maqedonas ose të ketë sanksione”, bën me dije Euronews Albania.