Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka akuzuar ish-kryeministrin Isa Mustafa se në gusht të vitit 2015 kishte nënshkruar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe me “22 kompetenca ekzekutive”, pavarësisht se, siç thotë ai, BE-ja paraprakisht i kishte thënë “mos prano asnjë kompetencë ekzekutive”.
Bislimi tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kërkon “Zajednicën e Isa Mustafës”.
“Ata duhet t’ua shpjegojnë qytetarëve, e edhe juve, që në qoftë se kjo që ne po e bëjmë tani ose na u paska prezantuar tani qenka super-Zajednicë, ku është problemi te Vuçiqi që po thotë ‘nuk po e du super-Zajednicën, por po e dua atë Zajednicën e Isa Mustafës’”, tha Bislimi.
Ai tha se “Vuçiqi thotë unë e dua specifikisht siç ma ka nënshkruar Isa Mustafa” Asociacionin.
Federica Mogherini, sa kishte qenë në krye të diplomacisë së Europës, e kishte nënshkruar një letër më 24 gusht të vitit 2015, ku zotohej se Asociacioni – parimet e përgjithshme të të cilit do të nëshkruheshin të nesërmen nga Kosova dhe Serbia – nuk do të kishte kompetenca ekzekutive. Kjo garanci atëherë është thënë se kishte përmbushur kushtin vendimtar të ish-kryeministrit Isa Mustafa për ta nënshkruar dokumentin një ditë më pas, por Bislimi nuk mendon kështu, shkruan Gazeta Express.
“Ne kemi thënë që marrëveshja për draft-statutin duhet t’i ndjekë këto korniza: e para është letra e Mogherinit. Është e pakuptueshme që më 24 gusht 2015 Mogherini të dërgojë një letër dhe të thotë ‘mos prano asnjë kompetencë ekzekutive’, sepse thotë ‘nuk është qëllimi i BE-së të krijohet një trup ekzekutiv dhe as të ketë nivel të ri të pushtetit’ dhe as 24 orë më vonë, më 25 gusht t’i ulesh në tavolinë dhe nënshkruan një dokument që sipas vetë Vuçiqit dhe Gjykatës Kushtetuese përmban 22 kompetenca ekzekutive ndoshta. Do me thënë, Bashkimi Europian thotë ‘unë t’i hapi dyert, shko dhe mos prano asnjë kompetencë ekzekutive’, ti e ke dokumentin dhe pastaj mjaftohesh…”, tha Bislimi të mërkurën në një intervistë për RTK-në.
Bislimi tha se nenin për dërgimin e marrëveshjes për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese “e ka kërkuar Serbia”.
“Kërkesa që draft-dokumenti i 2015-ës të shkojë në Kushtetuese nuk ka qenë kërkesë e delegacionit kosovar, ka qenë kërkesë e delegacionit të Serbisë. Sepse ata kanë thënë ‘nuk iu besojmë politikanëve të Kosovës, por në atë moment kur Gjykata Kushtetuese thotë që është në rregull, ju duhet ta bëni gjithsesi’. Është manipulim i opinionit kur Isa Mustafa thotë që ‘unë e kam kërkuar nenin për ta dërguar në Kushtetuese’ për arsye se në Bruksel, në negociata, më është thënë që këtë e ka kërkuar Serbia. Ju mund ta pyesni Bashkimin Europian. Është shumë interesante dhe shumë e pakuptueshme”, tha ai.