Ish-kryetari i Kamenicës, Qendron Kastrati, ka reaguar pasi Kuvendi i Kosovës e ka votuar Artan Abazin për të qenë pjesë e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Kastrati thotë se Abazi është gjyqtar në Gjykatën Themelore të Gjilanit në kuadër të Degës në Kamenicë dhe sipas tij të gjithë e dinë që “është mbështetës i hapur i Vetëvendosjes”
Në reagimin e tij ish-kreu i Kamenicës thotë se gjyqtari në fjalë “në një rast është pjesë e përndjekjes së një prindi” vetëm se i njëjti ka qenë pjesë e reformës në Arsim në Komunën e Kamenicës.
“Artan Abazi, i cili tashmë është zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës, i votuar vetëm nga deputetët e VV-së, për të qenë pjesë e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, është gjyqtar në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë. Në Kamenicë, të gjithë e dinë se ky gjyqtar është mbështetës i hapur i Lëvizjes Vetëvendosje. Madje, në një rast është pjesë e përndjekjes së një prindi sepse ka qenë pro Reformës në Arsim në Kamenicë. Edhe çfarë duhet të ndodhë që të kuptojmë se pushteti nuk ka për qëllim shtetin e së drejtës, por kapjen e shtetit që t’i shërbejë ‘Partisë-Shtet’?”, ka shkruar Kastrati