Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Gjykata Kushtetuese vendos nëse draft-statuti i Asociacionit ka ndonjë shkelje.
“Jo, natyrisht që jo! Atë çështje duhet ta shqyrtojë Gjykata Kushtetuese nuk duhet të garantojmë ne por duhet të vlerësohet në Gjykatën Kushtetuese”, tha Osmani për rtv21.
Presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar dërgimin e draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të hartuar nga ndërkombëtarët në Gjykatën Kushtetuese, gjatë fjalimit të saj vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, raporton Express.
Osmani ka thënë se Kushtetuesja duhet ta thotë nëse ky draft-statut është në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës
“Siç e dini, së fundi Kosovës i është dorëzuar një propozim, draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i hartuar nga partnerët tanë. Përderisa vlerësimi i hartuesve është se një draft i tillë është në harmoni me Kushtetutën, dua të ritheksoj se institucioni që duhet ta bëjë këtë vlerësim duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë dhe profesionalizmit është Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës. Është me rëndësi që të gjtihë ne, pa dallim partiak, të ulemi dhe bashkarisht të përgatisim komentet tona bazuar në shqetësimet që mund t’i kemi dhe t’i dërgojmë ato në Gjykatën Kushtetuese kurdo që ky draft do të dorëzohet para këtij institucioni”, ka thënë Osmani.
Ajo ka thënë se pushteti e opozita duhet të ulen bashkë për të përgatitur komentet bazuar në shqetësimet që kanë.
“Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë që të sigurojmë përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës. Dhe të mos lejojmë një pushtet të ndërmjetmë të qevrisjes apo anomali të tjera që rrezikojnë funksionimin e brendshëm të shtetit tonë”, ka deklaruar Presidentja.