Prokuroria kërkon nga Apeli dënim më të ashpër ndaj ish-gjyqtarit Sali Berisha

by Nexhat

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovë s (PSRK), ka kërkuar nga Gjykata e Apelit dënim më të lartë ndaj ish-gjyqtarit Sali Berisha, i cili më 28 prill 2023 ishte dënuar nga Themelorja me 2 vite e gjysmë burgim dhe dënim unik me gjobë në shumën prej 5 mijë euro për marrjen e 2 mijë eurove ryshfet dhe posedim të revoles pa leje. Mbrojtësi i tij, avokati Besnik Berisha kërkoi lirimin e ish-gjyqtarit.

Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, të njëjtit i ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues, ku i është ndaluar ushtrimi i funksioneve në administratë publike dhe shtetërore për tri vitet e ardhshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

banner

Sipas gjykatësit referues Burim Ademi, ndaj aktgjykimit të shkallës së parë ankesë ka paraqitur PSRK, duke i propozuar Apelit që lidhur me këtë çështje penale, të ndryshohet pjesa e vendimit lidhur me dënimin dhe t’i shqiptohet një dënim më të lartë nga ai i Themelores.

Gjithashtu, gjykatësi Ademi tha se ankesë ndaj aktgjykimit ka paraqitur edhe avokati Berisha, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, Ligjit Penal, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe mbi shqiptimin e sanksionit penal.

Ndërkaq, avokati Berisha në seancën e së premtes mes të tjerash deklaroi se kjo është një prej çështjeve më skandaloze që fillimisht sipas tij ka kaluar në duart e hetuesisë e ka përfunduar me një aktgjykim të shkallës së parë.

“Ku në fakt, më shumë jemi përballur me prokurorë në mes sesa me trup gjykues, të cilët na japin së paku shansin për me dëshmu pretendimet tona që ligjërisht kemi të drejtë e besoj Kushtetuta e garanton, e Gjykata Evropiane në fakt urdhnon”, tha avokati Berisha.

Berisha kërkoi nga Apeli që të vendosin një standard dhe kjo sipas tij jo pse është ish-gjyqtari Berisha, por të vendosin për shkak sigurisë juridike të vendit.

Në fund, avokati Berisha theksoi se kërkesa e parë e tyre është ndryshimi i aktgjykimit dhe refuzimi i aktakuzës për arsye të parashkrimit.

Ndërsa, kërkesa e dytë tha se është ndryshimi i aktgjykimit, lirimi, për shkak të praktikës së Gjykatës Evropiane për shkak të nxitjes, shtytjes dhe vetë dëshmitarit, përkatësisht konfirmimit të tij se Sali Berisha kurrë nuk ka pranuar e as kërkuar ryshfet dhe as nuk ka keqpërdorur në asnjë formë vendimin.

Kërkesa e tretë për Gjykatën e Apelit, Berisha tha se është anulimi i aktgjykimit të ankimuar dhe kthimi i çështjes në rivendosje me detyra të qarta për gjykatën e shkallës së parë që t’i vërtetojnë pretendimet e tyre si mbrojtje.

Avokati Berisha tha se i mbrojturi i tij si qytetar është në këtë çështje dhe si qytetar po i kërkon drejtat, duke shtuar se nuk po kërkojnë benefite, por sipas tij së paku epiteti gjyqtar prej 22 vite të mos jetë shkak të kalohet një aktgjykim që nuk do të lëshohej për askënd.

Fjalët e mbrojtësit të tij, i ka përkrahur i akuzuari Sali Berisha.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 5 shkurt 2020, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, i pandehuri Sali Berisha, gjyqtar në Departamentin për Krime të rënda në Gjykatën Themelore të Pejës, akuzohet se në mënyrë të drejtpërdrejtë kishte kërkuar dhe kishte pranuar përfitim në mënyrë që të veprojë në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.

Siç thuhet në aktakuzë, më 19 shtator 2019, i pandehuri Berisha ishte takuar me dëshmitarin F.Z, prej të cilit kishte pranuar shumën prej 2 mijë euro, e të cilët ishin dakorduar që në një rast ku për dy vepra penale “Kontrabandimi me migrantë” ishte i akuzuar vëllai i dëshmitarit F.Z, i pandehuri Berisha, si kryetar i trupit gjykues, të shqiptojë dënim të favorshëm, ku për këto vepra kishte shpallur dënim prej tre viteve, me kusht që brenda dy viteve të mos kryejë vepër tjetër penale.

Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit” sipas nenit 421, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në 12 vjet.

Përpos kësaj, gjykatësi Berisha, është duke u akuzuar se deri më 19 shtator 2019, ka mbajtur pa leje një revole të tipit “Zaza Mini”, të kalibrit 8 mm, së bashku edhe me 10 fishekë, e cila i ishte sekuestruar me rastin e bastisjes në banesën e tij në Pejë.

Ndryshe, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në një mbledhje të jashtëzakonshme, më 20 shtator 2019, e kishte pezulluar gjykatësin Sali Berisha, pas arrestimit të tij, nën dyshimin për përfshirje në vepra penale të korrupsionit

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy