Presidenti rus, Vladimir Putin ka paralajmëruar se do të ketë “probleme” me Finlandën fqinje pasi ajo u bashkua me Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) në fillim të këtij viti.
Hyrja e Finlandës në NATO shënoi një ndryshim të madh në peizazhin e sigurisë në Evropën veriore dhe shtoi rreth 1.300 km në kufirin e aleancës me Rusinë, shkruan CNN, Ishte gjithashtu një goditje për presidentin Putin, i cili ka paralajmëruar prej kohësh kundër zgjerimit të NATO-s.
“Ata (Perëndimi) e morën Finlandën dhe e tërhoqën zvarrë në NATO! Pse, a kishim ndonjë mosmarrëveshje me Finlandën? Të gjitha mosmarrëveshjet, përfshirë ato të një natyre territoriale në mesin e shekullit të 20-të, janë zgjidhur të gjitha shumë kohë më parë”, tha Putin në një intervistë të botuar të dielën.
“Nuk kishte probleme, por tani do të ketë, sepse ne tani do të krijojmë distriktin ushtarak të Leningradit atje dhe patjetër do të përqendrojmë njësitë ushtarake atje”, shtoi Putin në intervistën e transmetuesit shtetëror rus Rusia 1.