Kryeministri Albin Kurti, priti sot në takim Sekretaren Parlamentare të Shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes së Republikës së Gjermanisë, Siemtje Möller që në kuadër të delegacionit përcjellës ishte e shoqëruar edhe nga ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rhode.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti shprehu mirënjohjen e tij dhe shtetit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë, veçanërisht në sektorin e mbrojtjes duke theksuar rolin dhe rëndësinë që Bundeswehr ka luajtur për sigurinë e vendit përmes misionit të KFOR-i në Kosovë dhe ngritjes së kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës
“Kontingjenti i KFOR-it gjerman vazhdon të jetë më i madhi në Kosovë. Ai e njoftoi për vëmendjen që i është dhënë mbrojtjes gjatë qeverisjes së deritanishme, buxhetin që i është ndarë Ministrisë së Mbrojtjes, i cili këtë vit ishte mbi 200 milionë euro apo më shumë se 2% e Bruto Produktit Vendor, dhe rritjen e investimeve në Forcën e Sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftim
Kurti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Gjermaninë dhe mbështetjes së vazhdueshme të KFOR-it me qëllim garantimin e sigurisë dhe paqes në vend dhe rajon.
Gjatë takimit u diskutua edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, procesin e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe për marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit