Më afër zgjedhjeve – Kurti me gjuhë elektorale, opozita thotë se është gati

by Nexhat

Qeveria e ka shpenzuar shumicën e mandatit dhe ndërsa ka mbetur pak kohë për përmbushjen e premtimeve, kryeministri Albin Kurti aq më shumë po flet se si shteti u pasurua dhe u zhvillua me të në krye. Partitë opozitare argumentojnë për të kundërtën dhe shprehen të gatshme për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Kryeministri Albin Kurti është i vetëdijshëm se koha për t’i përmbushur zotimet po pakohet, ashtu siç ai vetë iu tha ministrave para pak javësh.

banner

Së fundmi Kurti e ka bërë gjithnjë e më elektorale gjuhën e tij, në një përpjekje për të argumentuar se Kosova është zhvilluar e pasuruar dhe se qytetarët tani jetojnë më mirë sesa përpara se të qeveriste ai.

Në një mbledhje të Qeverisë më 22 nëntor, ai i njoftoi ministrat se të nesërmen do të bëheshin 32 muaj në qeverisje apo 2/3 e mandatit 4-vjeçar.

Në atë mbledhje, Kurti tha se po e shfrytëzonte rastin për të përmendur “vetëm disa gjëra, jo të gjitha, që i kemi bërë”. I mori meritat edhe për liberalizimin e vizave.

“Kjo arritje, përveçse meritë e kahmotshme e qytetarëve tanë, është edhe rezultat i ligjshmërisë, i reformave, luftimit të korrupsionit dhe praktikave korruptive, e i qeverisjes sonë të mirë me imazh të lartësuar ndërkombëtarisht”, tha ai.

Për “sukseset e mëdha” të qeverisjes së tij, Kurti ka folur përgjatë gjithë vitit. Në një mbledhje të partisë të shtunën, Kurti nuk përmendi asnjë ngecje, por iu tha bashkëpartiakëve të flasin me qytetarët, pasi i sulmoi mediat se nuk po raportojnë sa duhet për punët e Qeverisë.

“Duhet të jemi afër me qytetarin përmes komunikimit dinamik me të. Shumë nga lajmet e vendimet që merr Qeveria jonë, nuk paraqiten fare ose në rastin më të mirë paraqiten pjesërisht në pjesën dërrmuese të spektrit mediatik në vendin tonë. Ne nuk kemi zgjedhur e as nuk do të zgjedhim metodat e pararendëseve tanë për sponsorizime që, në thelb, janë fasadë”, tha ai.

Kurti tha se “në vendet e tjera as në ëndërr si shohin këto rezultate”.

“Ne krahasohemi me veten tonë në vitin që shkoi, ndërkohë që jemi të pakrahasueshëm me qeveritë para nesh”, tha ai.

Kurti ishte sot në një konferencë vjetore për zhvillim industrial, ku tha se ekonomia e vendit është më e fortë se asnjëherë më parë. “Me politikat tona zhvillimore po e rrisim ekonominë e vendit dhe po mbështesim qytetarët, bizneset dhe ndërmarrësit”, tha ai.

Zëvendësi i kryeministrit, Besnik Bislimi thotë se opozita nuk duhet të brengoset për mbajtjen ose jo të premtimeve të pushtetit.

“Ne e kemi marrë mandatin me qeverisë me Kosovën. Në qoftë se ne gjatë kësaj qeverisje bëjmë diçka të cilën votuesi thotë ‘kjo nuk është në linjën e asaj që na keni premtu neve’, ata na çvotojnë”, tha Bislimi në një intervistë në televizionin publik. “Por unë kam brengën që më së shumti të brengosur për mbajtjen ose jo të premtimeve tona janë opozita. Ata s’na kanë votu. S’kanë me na votu as në 2025-ën. Lumir Abdixhiku nuk do të votojë për Albin Kurtin, të jeni të sigurt”, shtoi ai.

Kur gazetarja ia përmendi mundësinë që LVV dhe LDK të bëjnë koalicion, Bislimi tha se me siguri se kjo “nuk do të ndodhë”.

Opozita shprehet e gatshme për zgjedhje

Opozita është e ndarë. Të tri partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës kanë qëndrime të ndryshme nga njëra-tjetra se si duhet kundërshtuar Qeveria e udhëhequr prej Albin Kurtit. Por të triat shprehen të gatshme për zgjedhjet parlamentare.

Në fund të majit AAK-ja inicoi një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti, pasi kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj tha se kryeministri Albin Kurti ishte përgjegjës për situatën e rëndë në veri të vendit dhe se qeverisja e tij po paraqiste rrezik për vendin. Por kjo parti mbeti e vetme në këtë iniciativë dhe procedimi i mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë u bë i pamundur. As votat nuk mjaftonin.

Kryetari i PDK-së, partisë më të madhe opozitare në Kuvend, Memli Krasniqi tha në shtator se i kishte propozuar Kurtit që të merreshin vesh për ta shpërndarë Kuvendin dhe për të shkuar në zgjedhje.

“I kam propozuar kryeministrit Kurti që ne të merremi vesh, të kemi një dakordim politik për shpërndarjen e Kuvendit. Nëse ata vërtetë e mendojnë atë që e thonë, se qytetarët janë të kënaqur me punën e tyre dhe se kanë mbështetje qytetare, atëherë pse duhet të frikësohen nga shkuarja në zgjedhje? Kërkesa jonë është që duhet të shkohet në zgjedhje sa më parë”, pati deklaruar Krasniqi.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi i tha Gazetës Express të hënën se partia më e vjetër në vend nuk është e fokusuar në formimin e koalicioneve për qeverinë e ardhshme, por për t’i fituar zgjedhjet e radhës parlamentare.

“Ne nuk jemi të fokusuar për koalicione. Ne jemi të fokusuar për t’i fituar zgjedhjet. Puna jonë është me i fitu zgjedhjet”, tha ai.

Gashi tha se LDK-ja ka bërë sondazhe në Prishtinë dhe në Lipjan, dy komunat me të cilat udhëheq dhe tha se “në këto komuna LDK-ja qëndron shumë mirë”.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, sot pati një takim me degët e partisë nga Gjilani dhe Klina, pas të cilit shprehu gatishmërinë për zgjedhje.

“Aleanca është e gatshme për zgjedhje nacionale kurdo që ato mund të ndodhin”, tha ai.

Haradinaj tha se të arriturat e Kosovës “janë të rrezikuara nga mentaliteti i tanishëm politik që qeverisë me vendin”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy